SPORT

Juve nuk heq dorë nga Jorginho, përfshin edhe francezin Rabiot në negociata

Juve nuk heq dorë nga Jorginho, përfshin edhe francezin Rabiot në
Largimi i Miralem Pjanic drejt Barcelonës nuk është vuajtur aspak nga trajneri i Juventusit Maurizio Sarri, pasi sipas mediave në Itali, atij i është premtuar nga drejtuesit se gjatë verës do të afrohet edhe italo-braziliani Jorginho.

Ky i fundit është futbollisti i preferuar i Sarrit, të cilin tekniku italian e mori me vete te Chelsea dy vite më parë, ndërsa tani e dëshiron edhe te Juventusi, për të pasur mundësi të aplikojë më mirë futbollin që ka në mendje.

Pikërisht për këtë arsye, Paratici duket se ka nisur negociatat me drejtuesit e Chelseat, të cilët janë gati të heqin dorë nga Jorginho, por kërkojnë në këmbim një shifër prej rreth 60 milionë eurosh, pak a shumë aq sa shpenzuan për ta marrë nga Napoli në 2018-ën.

Plani i Paraticit është që të përfshijë në marrëveshje edhe francezin Adrien Rabiot, i cili nuk ka bindur në Torino dhe nëse do të marrë miratimin e Lampard, atëherë shifra e kërkuar për kartonin e Jorginhos do të përgjysmohej.

Gjithsesi në kampin bardhezi nuk janë të shqetësuar, pasi për Rabiot ka oferta edhe nag klube të tjera angleze, me në krye Evertonin e Ancelottit, ndaj menjëherë pas shitjes së tij, pritet ofensiva për të sjellë në skuadër Jorginhon.

Me këtë të fundit para mbrojtjes dhe brazilianin Arthur, Juventusi pritet të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin e topit, ashtu siç kërkon edhe Sarri për të ushtruar një futboll të bukur e tërheqës për tifozët.