SPORT

Kampionati Europian, UEFA mund ta limitojë në një ose dy shtete mikpritëse

Kampionati Europian, UEFA mund ta limitojë në një ose dy shtete
Kampionati Europian 2020 u shty me një vit për shkak të pandemisë globale të koronavirusit, pasi UEFA vlerësoi se do të ishte e drejtë t’u lihej hapësirë klubeve që të përfundonin ligat kombëtare dhe ato europiane.

Ky Europian pritej të ishte më i veçanti, pasi ishte planifikuar të luhej në 12 qytete të ndryshme të “kontinentit të vjetër”, duke startuar nga Roma në muajin qershor, por tani gjithçka është shtyrë për plot një vit.

UEFA ka miratuar datat e reja të Europianit, por nuk ka miratuar ende kalendarin e ri dhe stadiumet pritëse, pasi momentalisht është në kontakt me të gjitha situatat për të monitoruar situatën me luftën kundër Covid-19.

Sipas mediave angleze, qeveria europiane e futbollit po merr në konsideratë ndryshimin e kalendarit dhe zhvillimin e Europianit në një ose maksimumi dy shtete, ashtu siç është vepruar historikisht me këtë kompeticion.

Shkak është bërë fakti që në shumë vende do të jetë e vështirë të luhet me tifozë para vitit 2021, ndërsa edhe përfshirja e shumë shteteve e qyteteve, do të sillte lëvizje të shumta të njerëzve, çka mund të përbënte rrezik.

Kështu Ceferin, që ka qenë kundër Euroianit në shtete të ndryshme (ky model ishte vendosur nga Michel Platini), po negocion me palët për të përzgjedhur vetëm një shtet për organizimin e kompeticionit, me qëllim që të menaxhohet më mirë dhe të ketë më pak problem.

Edhe një zëdhënës i UEFA-s, i kontaktuar për këtë çështje, nuk e mohoi se po merret në konsideratë si opsion, por theksoi se momentalisht nuk ka asnjë vendim zyrtar dhe se nuk do të ketë pa u normalizuar situate nga Covid-19.