SPORT

Kante ka frikë të stërvitet, në Angli dyshojnë për pasaktësi të tamponëve

Kante ka frikë të stërvitet, në Angli dyshojnë për
Në Premier League kanë rinisur seancat stërvitore individuale dhe në grupe të vogla, për tu përgatitur për çuarjen deri në fund të sezonit 2019-2020, megjithatë duket se jo çdo gjë ka shkuar sipas parashikimit.

Kështu ditën e djeshme drejtues të Federatës njoftuan se nga 748 persona të testuar, 6 prej tyre rezultuan pozitivë ndaj koronavirusit dhe emrat nuk u bënë të ditur, por vetë ata u futën menjëherë në karantinë.

Kaq mjaftoi që mesfushori francez i Chelseat, N’golo Kante të ndjejë frikë për infektim dhe të kërkojë largimin nga qendra stërvitore e vijimin e stërvitjes nga shtëpia, ndërsa drejtuesit e klubit londinez e mirëkuptuan dhe e lejuan.

Megjithatë në shumë klube janë hedhur dyshimet se tamponët e përdorur për testimin e futbollistëve kanë qenë skarco, pasi për një pjesë të mirë të tyre nuk kanë konfirmuar nëse janë pozitivë apo negativë.

Më e rëndë bëhet situata kur sheh deklaratat e mbrojtësit të Watford, Adrian Mariappa, i cili del zbuluar dhe pranon se një nga 6 personat e rezultuar pozitivë është edhe ai, por thekson se është i habitur se si mund të ketë ndodhur kjo.

“Unë kam qenë shumë strikt dhe korrekt në zbatimin e rregullores për mbrojtjen nga koronavirusi dhe nuk e di ku mund të jem infektuar. Për më tepër, rezulton që jam pozitiv, ndërkohë që nuk kam pasur dhe nuk kam asnjë simptomë të tij”, tha Mariappa.

Drejtues të shumë klubeve kanë kërkuar që të ribëhen tamponët për të gjithë lojtarët, por nëse konfirmohet pasaktësia e tyre, atëherë do të rritet shqetësimi edhe në lidhje me kryerjen e tamponëve para çdo ndeshjeje, pasi kjo masë do të ishte e paefektshme pa një rezultat të saktë.