SPORT

Kërcënoi me shprehje raciste Wilfried Zaha, arrestohet 12-vjeçari

Kërcënoi me shprehje raciste Wilfried Zaha, arrestohet
Një tifoz vetëm 12 vjeç është arrestuar pasi ofendoi në Instagram me shprehje raciste sulmuesin Wilfried Zaha para ndeshjes Aston Villa – Crystal Palace (2-0), që u zhvillua të dielën. “Ylli” i skuadrës nga Selhurst, pranë Londrës, kur u zgjua të dielën u çudit kur në Instagramin e tij lexoi mesazhin e adoleshentit: “Më mirë të mos shënosh sot, zezak m…, ose unë do të vij në shtëpinë tënde i veshur si fantazmë”.

Policia e West Midlands konfirmoi se një 12-vjeçar nga Solihull është arrestuar si autor i këtij mesazhi kërcënues dhe me përmbajtje raciste.

Pas ndalimit të 12-vjeçarit reagoi edhe shoqata e Futbollistëve  Profesionistë:

“Postimet në @wilfriedzaha përpara ndeshjes ishin të neveritshme. Lojtarët vazhdojnë të jenë shënjestra e abuzimit të pamëshirshëm në internet. Jemi të kënaqur që shkelësi është arrestuar. Fakti që një 12-vjeçar dërgon një material më përmbajtje të tillë është thellësisht shqetësues”.