SPORT

Klopp reagon për kalendarin: Rrezikojmë të mos kemi lojtarë për të mbyllur kampionatin

Klopp reagon për kalendarin: Rrezikojmë të mos kemi lojtarë

Të mërkurën Liverpooli do të presë Atalantën ne “Anfield Road” në ndeshjen e Ligës së kampionëve dhe të shtunën në orën 12:30 do të luajë në transfertë ndaj Brightonit, ndërsa kalendari i ngjeshur duket se ka shqetësuar jo pak trajnerin e “the reds”, Jurgen Klopp.

Në intervistën e dhënë për Sky Sport pas ndeshjes, trajneri gjerman u ka kërkuar dy transmetuesve të Premier Leagues që të marrin në konsideratë atë që po ndodh me futbollistët në fushë, nga angazhimet e shpeshta.

“Sky dhe BT Sport duhet të bien dakord, pasi nëse vijojmë të luajmë të diel, të mërkurë e sërish të shtunë në mesditë, rrezikojmë të mos kemi as 11 futbollistë për të mbyllur kampionatin. Nuk flas vetëm për Liverpool, por për të gjithë. Shikoni Pique, që u dëmtua rëndë, Saka gjithashtu. Ky i fundit luajti të tre ndeshjet edhe me Anglinë. Ju thoni të bëjmë rotacion, por me kë të bëjmë rotacion. Ne kemi disa alternativa vetëm në sulm dhe pastaj të tjerët janë emra të rinj, pa eksperiencë”, tha Klopp.

Dikush në studio i kujtoi trajnerit gjerman kontratat e Premier Leagues me kompanitë televizive, por vetëm sa nxiti edhe një reagim më të ashpër të Klopp, që kërkoi të merret parasysh fakti që jemi në kohë pandemie.

“Nuk mund të flitet për kontrata në këto momente. Që prej fillimit të pandemisë, çdo gjë ka ndryshuar, por vetëm transmetuesit nuk lëvizin nga pozicioni i tyre strikt. Kontratat janë bërë për kushte normale, jo për situatë si kjo, me kalendar të ngjeshur e ndeshje çdo tre ditë”, u shpreh gjermani.