SPORT

Koeman konfirmon Coutinhon, gati ta aktivizojë në një rol të ri

Koeman konfirmon Coutinhon, gati ta aktivizojë në një rol të
Philippe Coutinho është rikthyer te Barcelona, pas një viti në huazim te Bayern Munich ku fitoi gjithçka, ndërsa tani nën drejtimin e holandezit Ronald Koeman është gati të shpërthejë edhe në klubin “blaugrana”.

Ndonëse pritej që të largohej drejt kampionatit anglez, ku ka kërkesa të shumta nga klube si Arsenal e Manchester United, Coutinho bën pjesë në listën e futbollistëve të preferuar edhe nga trajneri Koeman, i cili ka këmbëngulur për qëndrimin e tij.

Sipas mediave spanjolle, tekniku holandez ka një plan për të aktivizuar Coutinhon si mesfushor, bashkë me Pjanic e De Jong, një rol ky jo fort i ri për fantazistin, që më herët ka luajtur në një pozicion të ngjashëm edhe te kombëtarja e Brazilit.

Edhe vetë Coutinho është rikthyer me mjaft optimizëm në “Camp Nou” dhe ka deklaruar se është gati të punojë shumë për të bindur të gjithë te Barcelona.

“Tani do të rikthehem sërish te Barcelona dhe më duhet të punoj shumë, për të bërë një sezon shumë të mirë”, u shpreh braziliani pak ditë më parë për mediat e vendit të tij.

Tashmë drejtuesit e klubit katalan kanë hequr Coutinhon nga merkatoja dhe nuk do të ulen në tryezën e bisedimeve, të paktën jo deri sa të vijë një ofertë mbi 100-milionëshe, duke qenë se shpenzuan shumë më tepër për ta marrë nga Liverpool.