SPORT

Kosova merr vetëm një pikë falë Kolollit

Kosova merr vetëm një pikë falë Kolollit
Rrugëtimi i ri i Kosovës në Nations League nis larg shtëpisë dhe pa fitore, me një barazim 1-1 ndaj Moldavisë në Parma, sfidë që edhe mund ta kishte fituar, nëse nuk do të kishte qenë për një pjesë të parë të falur ndaj moldavëve, me një lojë të vaktë dhe paksa të ngadaltë. Një gol i Kolollit në pjesën e dytë nuk ishte i mjaftueshëm për fitoren ndaj moldavëve, që portën e Muricit e vizituan vetëm një herë, pikërisht kur gjetën golin.

Challandes, që sapo kishte rinovuar kontratën dhe për dy vite të tjera te dardanët, befasoi me zgjedhjen e Kolollit si qendërsulmues, ndërsa me kërshëri pritej rikthimi pas një mungese të gjatë në përfaqësuese të Zenelit. Pas një fillimi të mirë me kontroll të lojës dhe një shkëndije të Rashicës, që në fakt rezultoi e pasaktë (7’), Kosova u ndëshkua në të parën goditje të moldavëve, me Muric që la topin në zonë pas pritjes, dhe Nicolaesku nuk gaboi nga pranë për epërsinë e ekipit të Firatit.

Kosova mori sërish kontrollin e topit, por ishte shterpë, pa ide, shpesh me zgjidhje të komplikuara dhe me topa të lartë drejt zonës, ndërkohë që mungonte një qendërsulmues i mirëfilltë dhe vendosja e Kolollit përpara sigurisht që nuk ishte për një këmbngulje të tillë. Për pasojë, volum shumë dhe raste pak.

U prit që në pjesën e dytë Challandes do të ndryshonte, por në emra nuk ndodhi, ndërkohë që në lojë dardanët kërkuan më tepër kombinimet e shpejta dhe murin me njëri-tjetrin, teksa në një aksion të tillë në të 51-tën, Berisha gjeti goditjen, por jo portën.

Hyrja e Hadërgjonajt dhe Celinës ndryshoi lojën për mirë, por përpjekjet erdhën sërish nga larg, si në rastin e Rashicës, që u ndal mrekullisht nga portieri moldav.  Kur Kosova më në fund hyri në zonë, gjeti dhe golin, me Kolollin që shfrytëzoi një aksion të jashtëzakonshëm për barazpeshën, duke bërë atë për të cilën ishte zgjedhur që nga minuta e parë.

Hyrja e Rashanit solli më tepër forcë sulmuese dhe në të 77-tën, pikërisht lojtari i Oddit iu afrua golit të epërsisë, por gjeti portierin në rrugën e tij. Aksion i jashtëzakonshëm dhe në të 82-tën mes Kolollit dhe Celinës, por goditja e të parit ishte e pasaktë. Në të 87-tën Zeneli krijoi iluzionin e golit, pas një topi fantastik të Berishës. Rrjetën e gjeti Hadërgjonaj në të 89-tën, por vetëm atë të jashtmen. Me një fitore Kosova nuk do të kishte vjedhur asgjë, por mëkat për atë pjesë të parë të falur, që kushtëzoi ndoshta dhe rezultatin përfundimtar, ndaj një rivali tërësisht të kalueshëm. Një barazim që vlen si një pikënisje, por dhe si një mësim për të ardhmen, për të evidentuar atë që ishte pozitive në këtë sfidë, por dhe atë që duhet të korigjohet në të ardhmen.