Kryezona e Shkodrës… ku futbolli do të bëhet njësh, me koncertet e verës
Ndërsa Shqipëria po gëlon nga ethet e Euro 2024, mbi të gjitha sepse pjesë e kësaj ngjarje të madhe sportive është dhe kombëtarja jonë shqiptare e futbollit, Shkodra nuk mund të mos kishte funzonën e saj të madhe, të cilën e kanë quajtur “Kryezona ku mblidhen kampiona”.
Duke nisur nga kjo e shtunë, kur në “Kryezonë” do të zbarkojnë 50 makina të Retro Albania shoqëruar nga një spektakël i jashtëzakonshëm muzike e kërcimi, në këtë funzonë, e cila u mundësua edhe falë mbështetjes së Vodafone Albania dhe Procredit Bank, krahas futbollit pushtetin do ta kenë edhe një sërë aktivitetesh e koncertesh të mëdha verore.
Vesa Luma & band do të jetë të parët që do të hapin në 3 korrik këtë seri koncertesh, për t’u pasur në 4 korrik nga vëllezërit Korçarë, Endri dhe Stefi Prifti; në 8 korrik nga Redon Makashi & band; në 11 korrik nga Elton Deda & band; në 12 korrik nga Altin Goci & band ndërsa në 13 korrik nga Marsela Cibukaj & band.
Që prej ditës së parë që u hap, “Kryezona” po mbledh çdo natë me qindra sportdashës, të rinj e familjarë për të shijuar qershorin e europianit dhe jo vetëm me momentet e futbollit por dhe argëtimin që do të ofrohet aty.