SPORT

Kumbulla: Debutim i pabesueshëm, golin ia dedikoj skuadrës dhe stafit

Kumbulla: Debutim i pabesueshëm, golin ia dedikoj skuadrës dhe stafit

Marash Kumbulla debutoi në Europa League dhe i dha fitoren Romës në Bernë ndaj Young Boys, pasi shënoi golin që vulosi përmbysjen nga 1-0 në 1-2 në favor të verdhekuqve. Në përfundim të ndeshjes Kumbulla foli për mediat italiane, ku u shpreh mjaft i lumtur për golin e mbi të gjitha për fitoren.

Debutuat me gol…
Një debutim i pabesueshëm, por më të bukur e bëri fitorja. Jam shumë i kënaqur që shënova dhe i dhashë ekipit tre pikët sot.

Pse hasët vështirësi në pjesën e parë?
Kundërshtari na bëri presing lart dhe na vuri në vështirësi në organizimin e lojës, por në pjesën e dytë ndryshuam dhe krijuam shumë më tepër. Besoj se e merituam plotësisht fitoren.

Po e menaxhoni mjaft mirë kalimin nga Verona te Roma…
Po dhe kjo falë trajnerit, stafit të tij e të gjithë skuadrës, që më kanë pritur mjaft mirë në dhomat e zhveshjes dhe më kanë bërë pjesë të lojës së ekipit. Golin e sotëm ia dedikoj skuadrës.