SPORT

Kuqezinjtë nisin përgatitjet për Bjellorusinë, Reja ndan skuadrën në dy grupe

Kuqezinjtë nisin përgatitjet për Bjellorusinë, Reja ndan

Shqipëria iu rikthye stërvitjes pas fitores me Kazakistanin në kompleksin “Tropikal”, me kuqezinjtë që nisën përgatitjet për ndeshjen e fundit në Nations League kundër Bjellorusisë, ku do të kërkojnë suksesin për të fituar dhe grupin e për të vajtur në finalet e Ligës C.

Në ndeshjen me Bjellorusinë, Shqipëria nuk do të ketë shërbimet e Amir Abrashit, që mungon për shkak kartonësh, ndërkohë që pjesa tjetër e grupit është e plotë. Kuqezinjtë zhvilluan një seancë me ngarkesë të ulët fizike dhe për shkak të impenjimit që patën me Kazakistanin.

Grupi u nda në dy pjesë nga ana e trajnerit Edi Reja, ku njëri grup përbëhej nga lojtarët që ishin titullar në ndeshjen e fituar ndaj Kazakistanit, që kreu vrapime të lehta rreth fushës, ndërsa grupi i dytë nga futbollistët që nuk ishin aktivizuar në përballjen me kazakët, ju nënshtruan disa ushtrimeve më të rënda.

Humori në kampin kuqezi ishte dukshëm i lartë si pasojë dhe e dy fitoreve radhazi të marra, njëra në miqësoren me Kosovën dhe tjetra në sfidën zyrtare me Kazakistanin, që ishte edhe fitorja e dytë në grup për Shqipërinë.