SPORT

Lëkundet Zinedine Zidane, i duhen dy fitore për t’u konfirmuar

Lëkundet Zinedine Zidane, i duhen dy fitore për t’u konfirmuar

Një disfatë e papritur, e pabesueshme për shumëkënd, dhe tanimë edhe hijet e dyshimit për një lamtumirë të mundshme të Zinedine Zidane. Pas disfatës kundër Shakhtarit, trajneri i Realit të Madridit ka dy ndeshje për t’u konfirmuar dhe për të rikarikuar një ambient që duket në depresion, pikësëpari në “El Clasicon” kundër armiqve të përjetshëm, Barcelonës, dhe pastaj edhe në sfidën e Championsit kundër Borusia Moenchengladbachut, që demonstroi në “San Siro” se sa vlen. Një vizitë e shkurtër, vetëm 3 minuta, e presidentit Florentino Perez në dhomat e zhveshjes ka certifikuar momentin jo të skuadrës.

Zidane ka premtuar se do të angazhohet për të eliminuar problemet që kanë mbetur pa u zgjidhur në skuadër, por është e qartë se ekipi ka një problematikë edhe sa i përket karakterit. Ajo ndaj Shakhtarit ishte disfata e dytë e bujshme, duke kujtuar edhe Cadizin, dy ndeshje që flasin për një situatë e cila shpejt mund të shpërthejë.

Mungesa e publikut ka bërë që kontestimi të mos jetë në sytë e të gjithëve, por Perez, njeriu që investoi aq shumë për rikthimin e Zidane, nuk është aspak i kënaqur. Trajnerit spanjoll i duhen dy rezultate, ndaj Barcelonës dhe Moenchengladbachut, për t’u konfirmuar, në të kundërt, gjithçka mund të ndodhë.

Vetë trajneri, pas humbjes në Champions, deklaroi, “Më vjen keq për atë që po ndodh, nuk e pashë skuadrën të luante ashtu siç ua kisha kërkuar djemve. Kemi luajtur keq, s’ke çfarë thua më tepër. Tani fokusohemi tek “El Clasico”.

Përballja e madhe mes rivalëve të përjetshëm të futbollit spanjoll është në program këtë të shtunë, në orën 16:00, me emocionet e saj që do të mund t’i përjetoni “live” në ekranin e SuperSportit.