SPORT

Letra e futbollistit anglez që humbi penalltinë: Realitet i hidhur që Facebook, Instagram dhe Twitter nuk ndalojnë dot mesazhet e urrejtjes

Letra e futbollistit anglez që humbi penalltinë: Realitet i hidhur

Saka, Marcus dhe Jadon janë tre lojtarët e skuadrës angleze që humbën penalltitë në finalen e Euro 2020 dhe prej një jave përballet me një rrjet të egër, me komente fyese që kanë kaluar në sulme personale ndaj tyre, duke i kujtuar ngjyrën apo prejardhjen. Saka, më i sulmuar ndër ta, ka shkruar një letër të hapur që nis nga falënderimi për tifozët, skuadrën e pastaj mesazhi për mediat sociale dhe për gjithë njerëzimin.

“Kam qëndruar larg mediave sociale për disa ditë për të kaluar më shumë kohë me familjen dhe për të reflektuar mbi javën e kaluar. Ky mesazh nuk mund ta shprehë mjaftueshëm se sa mirënjohës jam për gjithë dashurinë që kam marrë. Ndjej nevojën të falënderoj çdo njeri që më ka mbështetur.

Ka qenë nder për mua të jem pjesë e skuadrës angleze që udhëhiqen nga dashuria vëllazërore që djemtë kanë për njëri-tjetrin dhe jam mirënjohës për çdo gjë që mësova nga lojtarët dhe stafi i palodhur. I lumtur që kontribuova për ta çuar skuadrën pas 55 vitesh, në finale, e të shikoja në tribunë familje time duke menduar sa shumë kanë sakrifikuar për të arritur unë deri këtu. Do të thotë shumë për mua.

Nuk mund ta shpreh dot me fjalë zhgënjimin tim për penalltinë e humbur. Mendoja vërtet se do të fitonim për ju. Më vjen keq që nuk mundëm ta sillnim kupën në shtëpi, por do të sigurohemi që kjo gjeneratë ta dijë se ç`do të thotë të fitosh.

Reagimi im pas ndeshjes i thotë të gjitha. Isha shumë i lënduar dhe ndjeva se duhej të largohesha nga familja ime e Anglisë, por jo. Nuk do ta lejoj atë moment negativiteti të më bëjë të dorëzohem.

Për ata që më kanë dërguar letra dhe përshëndetje mua dhe familjes sime, i jam mirënjohës. Kështu duhet të jetë futbolli. Pasion, njerëz të çdo race, gjinie, besimi, së bashku me dashurinë për futbollin.

Për mediat sociale Instagram, Facebook dhe Twitter: Nuk dua që asnjë fëmijë apo i rritur të marrë mesazhe të tilla urrejtjeje dhe lënduese siç mora unë, Marcus dhe Jadon gjatë kësaj jave. E dija urrejtjen që do më priste dhe ky është realiteti i dhimbshëm që platformat e fuqishme nuk po bëjnë mjaftueshëm për t`i ndaluar këto mesazhe.

Nuk ka vend për racizëm apo urrejtje të çfarëdo lloji në futboll ose në ndonjë fushë tjetër të shoqërisë. Nëse njerëzit bëhen së bashku për t`i raportuar këto mesazhe dhe denoncuar në Polici, nëse largojmë urrejtjen dhe bëhemi të dashur me njëri-tjetrin, ne do fitojmë.

Dashuria fiton gjithmonë!”.