SPORT

Lukaku humb ndeshjen me Realin, Conte pret reagimin e Lautaros

Lukaku humb ndeshjen me Realin, Conte pret reagimin e Lautaros

Interi ka kryer seancën e fundit stërvitore para transfertës madrilene ndaj Realit në Champions, një sfidë vendimtare kjo si për zikaltrit, ashtu edhe për “Los Blancos”, që e kanë nisur vërtetë keq këtë edicion.

Kështu nuk kanë qenë të pranishëm në stërvitjen e sotme sulmuesi Romelu Lukaku dhe mesfushori Stefano Sensi, që vijojnë të jenë të dëmtuar dhe që te zikaltrit nuk kanë ndërmend t’i ekspozojnë ndaj një dëmtimi më të rëndë, duke u aktivizuar para kohe.

Megjithatë ka kryer seancën normalisht sulmuesi kilen Alexis Sanchez, që edhe nëse nuk niset titullar në sfidën ndaj Realit, do të jetë në pankinë dhe i gatshëm për të luajtur në pjesën e dytë nëse do të jetë nevoja.

Në formë mjaft të mirë është shfaqur edhe mbrojtësi sllovak Milan Skriniar, i cili ka fituar më në fund betejën me koronavirusin dhe në “Alfredo Di Stefano” dhe me të Conte mund të rikthejë treshen që i ofron më shumë garanci në prapavijë, bashkë me De Vrij e Bastoni.

Në mesfushë pritet që të ulet sërish në pankinë danezi Christian Eriksen, i cili po shpërdoron mundësitë e vazhdueshme që i janë dhënë, pasi nuk po tregon asgjë në fushë, ndërsa në sulm trajneri zikaltër pret një përgjigje nga Lautaro Martinez, që nuk shënon që prej 4 tetorit ndaj Lazios.

Aktualisht Interi ka marrë vetëm dy pikë në dy ndeshjet e para të grupit, por një ecuri edhe më të keqe kanë pasur madrilenët, që kanë vetëm një pikë dhe nesër do të luajnë për fitore, me qëllim që të mos komplikojnë kalimin në fazën e 1/8-ave.