SPORT

Maguire: Milanin e kam ndjekur që i vogël, mezi e presim përballjen me ta

Maguire: Milanin e kam ndjekur që i vogël, mezi e presim

Mbrojtësi Harry Maguire ka folur për përballjen mes “djajve të kuq” dhe Milanit në Europa League, teksa ka theksuar se të gjithë te Manchester United janë entuziastë për dopio-sfidën ndaj kuqezinjve.

Mbrojtësi anglez theksoi se ka ndjekur Milanin që i vogël dhe se mezi pret të luajë në stadiumin mitik të Milanos “San Siro”, teksa u shpreh mjaft optimist se “djajtë e kuq” të Manchesterit do të kualifikohen për më tej.

“Milanin e kam ndjekur që i vogël dhe kur shorit na vuri përballë tyre, të gjithë ishim shumë entuziastë. “San Siro” është një stadium mitik dhe mezi presim të luajmë atje. Jemi në një formë mjaft të mirë dhe besoj që do t’ia dalim të kualifikohemi”, u shpreh mbrojtësi anglez.

Në fundjavë Manchester United fitoi derbin e qytetit ndaj City-t, duke blinduar pozitat në vendin e dytë, ndërsa Maguire pranon se ky sezon po shkon mjaft mirë për “djajtë e kuq” dhe se kritikat janë të tepruara.

“Kur nisi sezoni të gjithë thoshin që do ta kishim të vështirë të arrinim në katërshen e parë, por tani jemi të dytët dhe sërish na kritikojnë, pasi thonë se nuk jemi për titull. Megjithatë unë mendoj se jemi rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara dhe jemi në rrugën e duhur”, deklaroi Maguire.