SPORT

Manchester City ofertë stratosferike për mbrojtësin e Interit

Manchester City ofertë stratosferike për mbrojtësin e Interit
Pavarësisht se momentalisht janë dënuar me ndalim të pjesëmarrjes në kompeticionet europiane për dy sezone, drejtuesit e Manchester Cityt janë të bindur që do të gjejnë drejtësi në Apel dhe për këtë arsye po planifikojnë merkaton e sezonit të ardhshëm.

Kështu sipas mediave britanike, Pep Guardiola është shfaqur i pakënaqur me repartin e mbrojtjes këtë sezon, ku jo rrallë ka përshtatur Fernandinhon në qendër, kjo edhe për shkak të dëmtimeve. Ndaj ka kërkuar një futbollist me peshë në atë pozicion.

Emri në krye të listës është ai i sllovakut të Interit, Milan Skriniar për të cilin Manchester City është gati të paguajë plot 90 milionë euro, për të bindur zikalrit të heqin dorë nga kartoni i tij.

Në fakt Skriniar ka bërë paraqitje mjaft të mira në dy vitet e para si zikaltër, por me skemën me tre të Antonio Contes nuk po përshtatet sa duhet dhe është shndërruar në një mbrojtës normal, ndryshe nga rreshtimi me 4, kur shfaqej gjithmonë lider i prapavijës.

Për këtë arsye edhe vetë zikaltrit janë të interesuar që të arkëtojnë sa më shumë dhe të largojnë sllovakun, për të investuar më pas në ndonjë profil të ngjashëm me atë të Marash Kumbullës, lojtar i ri me perspektivë dhe që përshtatet mjaft mirë në të tre pozicionet e mbrojtjes me tre.