SPORT

Mbledhja e Ligës/ Qeveria e hapur për negociata, Liga nuk heq dorë nga bojkoti

Mbledhja e Ligës/ Qeveria e hapur për negociata, Liga nuk heq

Jepini fund bojkotit për t’u takuar me kryeministrit! Është ky kushti i qeverisë për Ligën, e cila nga ana e saj mbetet në ndjekje të zhvillimeve, por pa pranuar ofertën, të paktën për momentin. Zyrtarisht nuk ka tym të bardhë nga takimi i fundit i Ligës Profesioniste të Futbollit, por zhvillime interesante që nëse lexon mes rreshtave mund të sjellin edhe kthimin e kampionatit.

Liga Profesioniste e Futbollit kishte programuar takimin e radhës këtë të hënë në orën 11:00, ndërsa për gazetarët e shumtë në pritje, risia e madhe ishte hyrja në ambientet e “Air Albania”-s, e deputetit Fidel Ylli, të ngarkuarit të kryeministrit për të negociuar.

Një takim i shumëpritur pas injorimit të ftesës që ishte bërë nga deputeti socialist pak ditë më parë. Diskutime maratonë që zgjatën edhe 90 minuta të tjera. Në fund i pari që doli nga takimi, ishte pikërisht deputeti Fidel Ylli, i cili në deklaratën para mediave shfaqi vullnetin e ekzekutivit për t’iu afruar kërkesave të Ligës së Futbollit.

“Mendoj se është vullneti i kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit që kërkesat e Ligës të kemi mundësi t’i realizojmë. Nuk po them se sa përqind, pasi janë ca gjëra teknike që duhet t’i flasim me Ministrin e Financave dhe me specialistë të ndryshëm, por dëshira është e njëjtë. Takimi ishte shumë i frytshëm, pati debate por jo aq të ashpra. Unë jam pjesë e sportit, kështu që jam dakord me ta, jam dakord me kërkesat e tyre, por nuk jam specialist i financave, është ministria e Financave që do të japë viston përfundimtare. Hapi i radhës? Liga ka mendimet e saj, ka të drejtën e vet të bojkotojë. Do të ecim shumë shpejt që këto kërkesa t’i vëmë në zbatim”, tha Ylli.

Megjithatë, duke bërë të ditur se Liga është e vendosur të vazhdojë bojkotin, deputeti bëri të ditur edhe kushtin për të patur një takim direkt të përfaqësuesve të saj me kryeministrin.

“Liga? Ata duan të vazhdojnë bojkotin. Kërkesa ime, jo e qeverisë, është që nuk mund të negociojnë me kryeministrin duke pasur bojkot. Duhet të filloni kampionatin dhe të jeni të bindur që jam këtu si i dërguari i kryeministrit për zgjidhjen e problemit. Të jeni të bindur që një përfaqësi nga ju, shumë shpejt, duke parë agjendën e kryeministrit, do të jemi në zyrat e qeverisë për të folur me detaje, edhe me ministrin e Financave(do të flas me të që sot) por edhe kryeministrin, që topin e futbollit ta kthejmë në fushë javën tjetër. Nëse ata e fillojnë kampionatin, atmosfera dhe kryeministri do të jetë shumë herë më i gatshëm dhe i predispozuar të gjejë hapësirë në agjendën e tij të ngjeshur, që të gjejë hapësirë që të presë grupin e punës, negociatorin e tij për t’i dhënë zgjidhje problemeve”, u shpreh deputeti Fidel Ylli.

Pasi u njohën me deklaratën publike të të ngarkuarit të kryeministrit për negociatat, Presidenti i Ligës, Edvin Libohova bëri të ditur qëndrimin e Ligës së Futbollit që nuk është më aq statik, duke lënë të kuptohet se mund të ketë zhvillime të reja në ditët në vazhdim.

“Përfundimisht ramë dakord për të kthyer pas listën me 4 kërkesat që kemi bërë. Do kthehen pas për t’u përgatitur dhe për t’ua dërguar përsëri.
Përshëndesim deklaratën e Fidel Yllit që qeveria është e gatshme për të dëgjuar kërkesat tona. Ne do vazhdojmë ta shikojmë situatën ditë pas dite”, u shpreh Libohova.

Një farë hapjeje nga të dyja palët, që lë të kuptohet se në luftën e forcës të dy kampet të paktën kanë nisur të dalin nga llogoret respektive, çka rrit shpresat për një nisje të kampionatit, edhe pse për momentin, kreu i Ligës konfirmoi edhe zyrtarisht se bojkoti do të vazhdojë, çka u konfirmua edhe më vonë nëpërmjet një komunikate zyrtare.