SPORT

Mediat spanjolle “hedhin dritë” mbi çështjen Messi, ja si pritet ta zgjidhë me Barçën

Mediat spanjolle “hedhin dritë” mbi çështjen Messi,
Komplikohet edhe më shumë situata mes Lionel Messit dhe Barcelonës, pasi ylli argjentinas e ka bërë të qazrtë se dëshiron të largohet, nëpërmjet një letre zyrtare dhe duke mos u paraqitur në nisje të përgatitjeve për sezonin e ri.

“El Mundo Deportivo” është munduar të hedhë dritë mbi situatën aktuale, duke përdorur edhe burime të ndryshime si pranë futbollistit, ashtu edhe pranë klubit, ndërsa sqaron që në fillim se një ditë e rëndësishme për palët do të jetë e mërkura.

Kjo pasi babai i Messit, Jorge do të mbërrijë në Katalunjë dhe do të takohet me presidentin Josep Bartomeu, të cilit do t’i kërkojë një largim “pa shumë dhimbje” dhe me marrëveshje të 6 herë fituesit të Topit të Artë.

Megjithatë numri një i Barcelonës është i bindur të mos lirojë rrugë dhe i nevrikosur edhe më shumë me hapat që ka ndërmarrë Messi deri tani, e ka bërë të qartë se argjentinasi mund të largohet vetëm nëse paguhet shifra e parashikuar në klauzolë.

Po sipas medias prestigjoze spanjolle, Messi e ka gjetur tashmë skuadrën e tij të re, që është pikërisht Manchester City, pasi është joshur nga ideja për të punuar sërish me Pep Guardiolën, trajner me të cilin ka fituar gjithçka te Barcelona.

“Një lojtar i atij niveli nuk mund të nisë luftë me klubin e tij, pa gjetur më parë skuadrën e re ku do të vijojë karrierën. Ai ka arritur marrëveshjen me Manchester City-n dhe tani po ndjek një strategji për t’u liruar nga Barcelona”, shprehet gazetari Marcelo Bechler, i cili ishte i pari që paralajmëroi largimin e argjentinasit.

Momentalisht “El Pulce” pretendon se klauzola për prishjen e kontratës një vit para afatit, pa paguar asnjë dëmshpërblim është ende e vlefshme, ndaj edhe bëri kërkesën zyrtare në klub me “burofax”, por nuk ndajnë të njëjtin interpretim Barcelona dhe La Liga.

Këta të fundit e kanë bërë të qartë interpretimin e tyre mbi kontratën, sipas të cilës është firmosur e zezë mbi të bardhë se pas datës 10 qershor, lojtari mund të largohet vetëm nëse paguhet një dëmshpërblim prej 700 milionë eurosh.

Messi dërgoi letrën për prishjen e kontratës dhe vendosi të mos paraqitet në grumbullim, edhe për të çuar një sinjal te drejtuesit e Barcelonës se thyerja mes palëve është e parikuperueshme dhe se më e mira është një ndarje me marrëveshje.

Pikërisht këtë marrëveshje do të provojë të arrijë edhe babai-menaxher i yllit argjentinas, Jorge Messi, gjatë takimit të tij të të mërkurës me presidentin e Barcelonës, Josep Bartomeu, i cili nga ana e tij pritet të “dorëzohet” dhe t zgjedhë arkëtimin e disa milionave, më mirë sesa të mbajë edhe për një vit në skuadër një lider të pakënaqur.

Ndërkohë, sërish sipas gazetarit brazilian Marcelo Blecher, Messi do të firmosë me Manchester City-n një kontratë 5-vjeçare, teksa është parashikuar që të qëndrojë tre sezone në Angli dhe dy të tjera në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në klubin e New York City-t gjithashtu në pronësi të sheikëve që kanë aksionet e “citizens”.

Yllit argjentinas i është ofruar një pagë prej 50 milionë eurosh neto në sezon dhe një bonus firme prej 250 milionë eurosh, shifër të cilën do ta përfitojë të plotë vetëm nëse do të jetë nevoja për të paguar edhe te Barcelona.