Messi një hap larg PSG, ja paga që pritet të përfitojë
Paris Saint-Germain ndodhen një hap larg firmosjes së syper-yllit argjentinas Lionel Messi, i cili për shkak të rregullave të reja të imponuara nga Liga Spanjolle e Futbollit në lidhje me financat e kontratave të reja nuk ka mundur të rinovojë me ekipin e tij emblemë Barcelonën.
Mediat ndërkombëtare të sportit raportojnë se i ati dhe njëkohësisht agjenti i Messi-t, Jorge do të pritet në Paris ditën e sotme ku do të mbyllë detajet finale të kontratës së thuhet se do të jetë deri në vitin 2023 me opsion për rinovim dhe një vit tjetër. Në Paris janë të bindur se ata do të marrin shërbimet e 34-vjeçarit, ndonëse miliarderi rus Roman Abramovich urdhëroi agjentët e Chelsea që të ngulmojnë në negociatat për të afruar Messi-n tek blutë e Londrës.
Nga ana tjetër, Manchester City ekipi tjetër me luksin për të mos llogaritur financat, duket se është tërhequr vetë nga gara pasi mori shërbimet e Jack Grealish për plot 100 milion paund. Trajneri Pep Guardiola ka thënë se për momentin “Messi nuk përbën interest” për “The Citizens”. Natyrisht, spekullohet se përveç përfitimeve të mëdha monetare, Messi preferon një kampionat më të lehtë ku do të mund të fokusohet tek Champions League, ndërkohë që dihet që në Angli intensiteti i lojës dhe programi i ngjeshur e bëjnë të vështirë konkurrimin në nivelet më të larta.
Besohet se nga marrëveshja Messi do të përfitojë 40 milion euro në sezon pagë dhe do të parashikohen bonuse për rezultate të mira dhe trofe që mund të fitohen nga ekipi parizien. Ajo që ka ndihmuar në afrimin e Messi me PSG ka qenë dhe afrimiteti me trajnerit Pochettino dhe ish-shokun e skuadrës Neymar. Një treshe sulmi Neymar-Mess-Mbappe do të ishte një kombinim që nuk është parë në futbollin europian që prej kohës së “Galaktikëve” të Real Madrid.
Tiranapost.al