SPORT

Mjafton Lenjani, Shqipëria e nis me këmbën e mbarë kualifikueset e Kupës së Botës

Mjafton Lenjani, Shqipëria e nis me këmbën e mbarë

Ëndrra Katar 2022, nis me këmbën mbarë për Shqipërinë e Edi Rejas. Një gol i Ermir Lenjanit u mjaftoi kuqezinjëve për të marrë tre pikët e para në debutim në kualifikueset e Kupës së Botës, me kuqezinjtë që u treguan minimalist në Andorra duke fituar 0-1. Edhe në Andorra Reja e nisi me skemën e tij të preferuar 3-5-2, me 6 lojtarë që luajnë në Itali dhe dyshen Manaj-Cikalleshi në sulm. Pas një fillimi të qetë, sinjalin e parë Shqipëria e dha në minutën e 19-të, por fillimisht Kumbulla dhe më pas Manaj edhe pse tentuan asnjëri prej të dyve nuk arriti të gjente portën e mbrojtur nga Gomes. Në minutën e 26-të, Manaj provoi me një goditje standarte nga limitet e zonës të fituar nga ai vetë, por predha e sulmuesit u ndal nga gardiani i Andorrës Gomes. Shqipëria e rriti presionin në minutat e fundit të pjesës së parë, duke iu afruar golit në disa raste.

Në të 36-ën, krosim i Memushajt nga këndi por goditja me sup e Gjimshitit për fare pak nuk gjeti portën. Në të 40-ën një harkim i Hysajt nga e djathta, gjeti të lirë në qëndër të zonës Ismajlin i cili nuk devijoi dot topin drejt portës në tentativën e tij me kokë. Goli i kuqezinjëve ishte në ajër dhe ai erdhi vetëm një minutë më pas me Ermir Lenjan që shfrytëzoi asistin perfekt të Keidi Bares dhe me një goditje fluturimthi gjeti të papërgatitur portierin vendas Gomes duke kaluar skuadrën e Rejas në avantazh.

Në të 44-ën kuqezinjtë pranë golit të dytë por prekja e lehtë e Kumbullas me kokë pas krosimit të Memushajt shkoi jashtë për fare pak. Në pjesën e dytë Shqipëria krijoi pak duke u treguar pragamtiste për të menaxhuar në mënyrën më të mirë avantazhin. Në të 61-ën, Reja i dha freski mesfushës dhe sulmit duke hedhur në fushë Laçin dhe Uzunin për Manajn dhe Memushajn. Në të 65-ën u regjistrua edhe momenti më i vështirë në këtë sfidë në portën e kuqezinjëve. Gjithsesi dalja e pastudiuar e Berishës nuk u shfrytëzua siç duhet nga vendasit, teksa edhe goditja e Alaez ishte e pasaktë. Në të 74-ën faulli i fituar nga Bare në afërsi të zonës nuk u shfrytëzua siç duhet nga kuqezinjtë pasi goditja e Cikalleshit u ndal nga muri.

Në të 81-ën u hodhën në fushë edhe Roshi dhe Broja me këtë të fundit që iu afrua golit në të 89-ën por Gomez ishte në lartësinë e duhur duke ndalur tentativën e sulmuesit të Vitessen. Rastin e fundit për Shqipërinë e kishte një minutë më pas Klaus Gjasula por edhe goditja e mesfushorit nga distanca mori kundërpërgjigjen e gardianit të Andorrës. Kaq për këtë sfidë me Shqipërinë që mori tre pikë të arta ndaj një kundërshtari jo të lehtë që mbyllet mirë prapa dhe për më tepër në një terren të vështirë me bar sintetik. Edhe pse minimaliste, Shqipëria mori atë çfarë donte në Estadio Nacional në Adorra la Vella, duke e përqëndruar të gjithë vëmendjen tashmë te ndeshja e së dielës ndaj Anglisë.