SPORT

NBA, Miami në superformë e çon në 2-0 serinë ndaj Celtics në finalen e Lindjes

NBA, Miami në superformë e çon në 2-0 serinë ndaj

Ecuria fenomenale e Miami Heat vazhdon dhe me sa duket franchise nga Florida nuk ka ndërmend të ndalet. Skuadra e drejtuar nga trajneri Erik Spoelstra mundi sërish ekipin e Boston Celtics, duke regjistruar fitoren e 10 në fazën e play off-it, në edicionin e 74 të NBA. 10 fitore dhe vetëm një humbje me Milwaukee Bucks, për më tepër pas kohës shtesë, ky është bilanci i përgjithshëm i Miami-t në fazën me eliminim të drejtpërdrejtë të play off-it të sivjetshëm, madje edhe disfata me ekipin nga Wisconsin u regjistrua në sfidën e katërt të serisë ndaj skuadrës së drejtuar nga trajneri Mike Budenholzer, një ndeshje ku Bucks sigurisht përfituan edhe nga euforia dhe nënvlerësimi i ekipit nga Florida, pas dëmtimit të yllit të Milwaukee-t Giannis Antetokounmpo.

Këtë herë basketbollistët e Miami-t vuajtën vrullin dhe dominimin e ekipit nga Massachusetts në pjesën e parë, për të përmbysur më pas disavantazhin e plot 17 pikëve, duke u afruar në këtë mënyrë edhe me finalen e parë të NBA që nga viti 2014, kur Heat nën drejtimin e trajnerit me origjinë holandeze ndonëse kishin në përbërje emra të tillë si LeBron James, Dwyane Wade, Chris Bosh, Ray Allen apo Udonis Haslem, përsëri u mundën thellë 4-1 nga San Antonio e trajnerit të mirënjohur Gregg Popovich. Në Kompleksin Disney World pranë Qytetit të Orlandos, në Pallatin e Sportit AdventHealth Arena ekipi i drejtuar nga trajneri Brad Stevens e mbylli periodën hapëse me epërsinë minimale 31-28, sidoqoftë gjërat ndryshuan ndjeshëm në 12’ e dytë dhe të udhëhequr nga dyshja Kemba Walker–Jayson Tatum Celtics fluturuan dy herë në avantazhin e 17 pikëve, 58-41 dhe 60-43. Pavarësisht diferencës së madhe basketbollistët e Miami-t zbritën në parket krejtësisht të qetë në pjesën e dytë, të fortë natyrisht edhe nga rezultati i takimit hapës i serisë në finalen e Konferencës së Lindjes, ku Heat rekuperuan disavantazhin e plot 14 pikëve që kishin në fillimin e periodës së fundit, për të fituar me shifrat 117-114 pas kohës shtesë. E në fakt gjithcka ndryshoi në mënyrë rrënjësore pikërisht në 12’ e tretë, periodë ku ekipi i Erik Spoelstra-s e shtrëngoi Bostonin për të realizuar vetëm 17 pikë gjithsej.

Nga shifrat 67-52, falë një ecurie të shkëlqyer 20-4 skuadra e Miami-i përmbysi rezultatin, duke kryesuar 72-71, gjithsesi Heat nuk u mjaftuan me kaq por e përfunduan fraksionin e tretë të lojës me 7 pikë avantazh, 84-77. Diferenca u bë qartësisht pra në periodën e tretë, 12’ ku ekipi nga Florida fitoi 37-17, sidoqoftë në fraksionin përmbyllës të lojës pati një moment kur Bostoni u kthye falë një ecurie pozitive 15-2, për të udhëhequr 94-89, megjithatë edhe kjo epërsi nuk është se zgjati shumë, sepse Goran Dragic mori për dore skuadrën dhe ekipi i Miami-u u kundërpërgjigj në mënyrën më të mirë të mundshme. Heat regjistruan një tjetër ecuri pozitive të pjesshme me rezultatin 13-1, për t’i dhënë edhe goditjen e knock out-it franchise-t nga Massachusetts.

Në fund basketbollistët e Erik Spoelstra-s ruajtën qetësinë dhe e administruan shkëlqyeshëm epërsinë e krijuar falë edhe disa veprimeve shumë të mira në mbrojtje nga ana e 31-vjecarit teksan Jimmy Butler, për të fituar krejt takimin me rezultatin 106-101. Një fitore e madhe, e dyta radhazi që vjen me një përmbysje të tillë, dhe sigurisht një sukses që e con Miami-n në avantazhin 2-0 në serinë e finales së Konferencës së Lindjes. Celtics e përjetuan vërtet shumë keq humbjen, madje nga dhoma e tyre e zhveshjes u dëgjuan zhurma dhe ulërima, që krijonin përshtypjen e një zënke masive. Më i miri i ndeshjes ishte padyshim 34-vjecari slloven Goran Dragic, me 25 pikë, ndërkohë Kemba Walker e mbylli mbrëmjen me 23 pikë, ndërsa lojtarët Bam Adebayo, Jayson Tatum dhe Jaylen Broën e përfunduan takimin në kuotën e 21 pikëve.