SPORT

Nga futbollistët tek punëtorët e tjerë, ja sa do të paguhet secili nga FSHF

Nga futbollistët tek punëtorët e tjerë, ja sa do të

Futbollistët, trajnerët, arbritrat dhe gjithkush që është i punësuar në futboll do të mbështetet financiarisht nga Federata e Futbollit. Paketa financiare u prezantua sot nga Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.

“Kjo paketë financiare parashikon, dhënien e një shpërblimi, rroge, apo ndihme financiare, për një periudhë një mujore nga 15 marsi deri në 15 prill, në mënyrë të barabartë me një pagesë prej 30 mijë lekësh të rinj; nëse nuk do të rikthehemi pas 15 prillit, e njëjta paketë do të përsëritet sërish. Detajet dhe e gjithë pagesa do të bëhet direkt për futbollistët, zyrtarët apo trajnerët e futbollit që nuk kanë mundësi të kenë një pagë tjetër, pra që futbollin e kanë profesion, dhe nuk marrin një pagë nga një burim tjetër shtetëror. Federata do t’i shpërndajë direkt pagesat tek individët, në numrat e llogarive bankare, besoj se në mënyrë të shpejtë administrata (e Federatës) duke filluar nga nesër do ta realizojë shpërndarjen e tyre”, tha Duka.

Burimi financiar i kësaj pakete, është kontributi i vetë administratës së Federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga trajneri i ekipit Kombëtar Edi Reja dhe stafi i tij.

Të gjithë pagat e larta në federatë kanë shprehur solidaritetin për t’i përgjysmuar që të plotësojmë këtë buxhet dhe do të merret një kredi financiare, të cilën Duka tha se do ta mbulojnë në buxhetin e vitit të ardhshëm.