Një rrugë në kryeqytet merr emrin e futbollistit që luajti edhe me Tiranën, edhe me Partizanin

Njëra nga rrugët e Tiranës do të mbajë emrin e legjendës së futbollit kryeqytetas, Zyber Fagu. Në një takim kryebashkiaku Veliaj i dorëzoi familjes Fagu simbolikisht emrin e rrugës.
“Në Tiranë kemi nevojë të nderojmë ajkën e qytetit. Fëmijët kanë nevojë të dëgjojnë histori frymëzuese të atyre që luftuan, punuan apo kanë bërë sport, pavarësisht regjimit ku kanë jetuar”, u shpreh Veliaj.
“Sot na ofrohen si modele njerëz pa merita, që nuk përfaqësojnë vlerat e shoqërisë sonë. Ndaj, të gjithë duhet të kontribuojmë që njerëzit e vyer si Zyberi, që i kemi pasur në ato kohë jashtëzakonisht të vështira, t’i sjellim sot si modele. Është shumë e rëndësishme që këta njerëz të mirë dhe të ndershëm t’ua japim si shembuj të rinjve, për t’u treguar se mund të jetosh si njeri i drejtë, duke punuar fort”, vijoi ai.
Djali dhe vajza e ish futbollistit Zyber Fagu të pranishëm në takim thanë: “Falenderojmë kryetarin e Bashkisë për këtë nderim. Babai ynë ishte një njeri që ka kontribuar në sport, e jo vetëm, ka qenë edhe veteran i luftës, njeri me atribute të mira. Ju jemi mirënjohës”, u shprehën Mustafa dhe Ermira Fagu.