SPORT

Nuk akorduan penallti për Interin, pezullohen edhe dyshja Piccinini-Maresca

Nuk akorduan penallti për Interin, pezullohen edhe dyshja Piccinini-Maresca

Në një lidhje direkte me “Sky Sport”, shefi i arbitrave në Itali, Nicola Rizzoli pranoi se arbitri Piccinini dhe ai i VAR-it, Maresca kanë gabuar në ndeshjen mes Interit dhe Parmës, pasi asnjëri nuk ka ndërhyrë për akordimi ne një penalltie të pastër në favor të zikaltërve.

Bëhet fjalë për një episod ku mbrojtësi i emilianëve Balogh mban me duar Perisic dhe nuk i lë mundësinë kroatit të kërcejë me kokë për të gjuajtur topin, ndërsa Rizzoli pranoi se kemi të bëjmë me një penallti të pastër në të cilën duhej të kishte ndërhyrë patjetër VAR-i.

Pikërisht për këtë arsye, mediat italiane raportojnë se ashtu siç ndodhi me Giacomellin pas ndeshjes Milan-Roma, edhe ndaj dyshes Piccinini-Maresca pritet të aplikohet një pezullim një mujor dhe më pas rinisja të bëhet me ndeshje të Serisë B.

Piccinini arbitroi zikaltërit edhe në ndeshjen e dytë të kampionatit, në transfertën ndaj Beneventos, ku gaboi në disa vendime të tij, por atëherë askush nuk u ndal te ato, pasi Interi ia doli të fitojë me rezultatin 2-5.