SPORT

Partizani merr lajmin “bombë” nga CAS-i, merkatoja mbetet e bllokuar

Partizani merr lajmin “bombë” nga CAS-i, merkatoja mbetet e
Gjykata e Arbitrazhit sportiv në Lozanë të Zvicrës nuk vendos pro zhbllokimit të merkatos së Partizanit. Një lajm “bombë” nga shkalla më e lartë e drejtësisë sportive për klubin e kuq, që pas këtij vendimi duhet të ridimensionojë objektivat, pasi me organikën më shumë se për të fituar trofe duhet të mendojë për të shmangur klasifikimin në pjesën e poshtme të renditjes. Gjithsesi, klubi i kuq ka besim se të paktën para sesionit dimëror të merkatos CAS do t’i japë të drejtë për çështjen “Çinari”.

Njoftimi i Partizanit

“Klubi njofton se është njohur sot me vendimin e ndërmjetëm të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS), i cili lë në fuqi vendimin e Dhomës së Zgjidhjes të Konflikteve të FIFA-s për pezullimin e klubit nga pjesëmarrja në dy sesionet e radhës të merkatos. Duke siguruar sportdashësit dhe opinionin sportiv se Partizani ka vepruar përherë konform të gjitha rregullave dhe legjislacionit sportiv, shprehim zhgënjimin tonë mbi këtë vendim, që cënon ecurinë tonë në kampionatin që pritet të fillojë. Në arsyetimin e tij, CAS ka vlerësuar se pezullimi nga dy sesione të merkatos nuk shkakton dëme të pariparueshme dhe afatgjata ndaj klubit.

Pavarësisht se ky vendim, në arsyetimin e tij, na pengon në zhvillimin normal të projektit sportiv për sezonin aktual, FK Partizani do të vijojë punën e pandërprerë me gjithë vështirësitë e krijuara, duke patur besimin maksimal tek stafi teknik dhe lojtarët aktualë.

Sa i përket gjyqit në CAS, klubi po punon për të siguruar mbrojtjen ligjore dhe synon fitimin e gjyqit përpara sesionit të ardhshëm të transferimit të lojtarëve.”