SPORT

Përplasja Vilas Boas-Thuchel, portugezi i përgjigjet provokimit të gjermanit

Përplasja Vilas Boas-Thuchel, portugezi i përgjigjet provokimit

PSG-Marsejë, një sfidë që do të thotë tension. Edhe thumbime, madje mes stolave. André Villas Boas tha para klasikes së futbollit francez, që u mbyll 0-1 dhe me sherr, se e festoi humbjen e PSG-së në finalen e Ligës së Kampionëve. Thomas Tuchel iu përgjigj provokimeve të tij, me përplasjen e deklaratave që vijoi edhe pas ndeshjes së të hënës.

Trajneri portugez zbuloi se homologi i tij gjerman i PSG-së iu afrua dhe i tha: “Duhet të kesh fituar llotarinë”. Një provokim i hapur, çka nënkupton që ish-trajneri i Dortmundit e konsideroi rastësi dhe fat suksesin e Marsejës në kryeqytetin Paris.

Villas-Boas e mbajti në nivel lojën dhe i është përgjigjur me të njëjtën monedhë Tuchelit, duke i kujtuar fitoren në Champions kundër Atalantës, që erdhi me shumë fat, në shtesë. Portugezi e zbuloi këtë përplasje në konferencën për shtyp.

“Tuchel u kthye drejt meje dhe më tha se duhet kisha fituar llotarinë. Unë iu përgjigja: A e fituat ju llotarinë në ndeshjes me Atalantën? Unë kam shumë respekt për të”.

Sidoqoftë, trajneri portugez nuk i kurseu provokimet për shkak të dështimit të PSG-së për të fituar Championsin.

“Ata kanë dominuar në Francë gjatë dhjetë viteve të fundit, kanë shpenzuan një miliard. Duan të fitojnë Championsin, por ende nuk ia kanë dalë.”