SPORT

Policia e Shtetit prezanton masat për finalen e 25 majit

Policia e Shtetit prezanton masat për finalen e 25 majit

Zv.drejtori i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj ka prezantuar masat që Policia e shtetit ka marrë për ndeshjen finale të Conference Leagua. Përballja mes Romës/Itali dhe Feyenoordit/Holandë do të jetë në 25 maj, ora 21:00, në stadiumin “Air Albania”.

Policia e Shtetit prezanton masat për finalen e 25 majit

Masat e Policisë së Shtetit:

Policia do të jetë prezente për mbarëvajtjen e aktiviteteve që do të zhvillojë Bashkia e Tiranës në dy “Fan Zonat”, tek shëtitorja “Murat Toptani”, për tifozët e Feyenoord, në zonën e Amfiteatrit në kodrat e Liqenit për tifozët e Romës dhe në aktivitetin festiv që do të organizohet në sheshin “Skënderbej”.

Lëvizja e sportdashëve të ekipit të futbollit të Feyenoord drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek pedonalja “Toptani”, përgjatë bulevardit “Deshmorët e Kombit”, në rrugën “Gjergj Filipi”, ndërsa ajo e sportdashësve të ekipit të futbollit të Romës drejt stadiumit do të bëhet e grupuar në këmbë nga “Fan Zona” tek Amfiteatri në kodrat e Liqenit Artificial, sheshi “Chopin”, rruga “Lek Dukagjini”.

Masat e planifikuara nga Policia e Shtetit, për këtë aktivitet të rëndësishëm, konsistojnë në disa plane, si në:

– Eskortimin e ekipeve të futbollit të Romës dhe Feyenoord nga aeroporti i Rinasit në hotel, në stadium dhe në kthim për në Rinas;

– Eskortimi i Personaliteteve të Larta të UEFA dhe Personaliteteve të tjera Shtetërore nga aeroporti i Rinasit në hotel dhe në kthim për në Rinas;

– Eskortimi i automjeteve me sportdashës të të dy ekipeve të futbollit nga Rinasi dhe Durrësi në Tiranë dhe në kthim;

– Garantimin e rendit publik në dy “Fan Zonat” ku do të qëndrojnë një pjesë e mirë e sportdashësve të të dy ekipeve, gjatë lëvizjes së tyre nga “Fan Zona” në stadium dhe largimin në përfundim të ndeshjes;

– Organizimin e pikave të kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium, në rrugën “Dervish Hima”, “Lek Dukagjini”, “Gjergj Filipi”, “Papa Gjon Pali II” dhe tek kolonat në sheshin “Italia”;

– Mbështetjen e stjuartëve gjatë kontrollit të sportdashësve para hyrjes në stadium;

– Organizimin e shërbimeve për garantimin e rendit publik para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes së futbollit jo vetëm pranë stadiumit, por edhe kontrollin e territorit në të gjithë qytetin e Tiranës;

– Sigurimin e rrugëkalimeve të shërbimeve të emergjencës;

– Menaxhimin e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës, para, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit etj.

Me qëllim garantimin e një mjedisi sa më të sigurtë për sportdashësit e të dy ekipeve të futbollit, si dhe sigurimin e lëvizjes së tyre, Policia e Shtetit, në bashkëpunimin me Bashkinë e Tiranës, do të marrë masa për kufizimin e lëvizjes së automjeteve në disa akse rrugore, duke filluar nga stadiumi deri në sheshin “Skënderbej”, në lindje deri në Rrugën e Elbasanit dhe në perëndim deri në rrugën “Sami Frashëri”.

Për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve gjatë datave 24 dhe 25 maj 2022, në qytetin e Tiranës, Policia e Shtetit apelon dhe kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, me qëllim që të reduktojnë në maksimum përdorimin dhe qarkullimin me automjete gjatë këtyre dy ditëve.

Nisur nga fakti se sportdashësit e dy ekipeve, për të hyrë në stadium, do të ndjekin intenerarin e përcaktuar më sipër, me qëllim shmangien e konfuzionit në pikat e kontrollit të organizuar nga Policia e Shtetit, si dhe në hyrjet e stadiumit, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të tjerë që kanë një biletë për këtë ndeshje, të lëvizin në rrugën “Papa Gjon Pali II” dhe në rrugën “Dervish Hima”, për t’u drejtuar në stadium. Ndërsa qytetarët e tjerë që nuk kanë biletë për në stadium, të mos frekuentojnë këtë zonë.