SPORT

Provë zjarri për Barçën në Andaluzi, titulli kalon nga Sevilla

Provë zjarri për Barçën në Andaluzi, titulli kalon
Dekada e fundit përfaqëson ecurinë më të mirë të Barcelonës në gjithë historinë e klubit në Primera Division, madje me 8 kampionate të fituar në 11 vitet e fundit klubi i famshëm katalanas po e ngushton gjithmonë e më shumë diferencën me rekordmenët e futbollit spanjoll. 11 vjet më parë Reali i Madridit ishte plot 13 kampionate përpara Barcës, ndërsa tani klubi blaugrana ka një mundësi të shkëlqyer për ta ngushtuar diferencën në thjesht 6 tituj, përsa i përket kampionatit spanjoll. Pavarësisht shkëputjes së madhe për shkak të izolimit dhe masave të forta shtrënguese për shkak të pandemisë së koronavirusit gjithcka vazhdon njësoj dhe në pamje të parë duket sikur asgjë nuk ka ndryshuar në rivalitetin e egër ndërmjet Barcës dhe Realit. Vetëm pak ditë pas triumfit në ishull ndaj Majorkës skuadra e drejtuar nga trajneri Quique Setien regjistroi fitoren e dytë radhazi pa pësuar, duke u shkëputurë sërish në distancë sigurie, kundrejt rivalëve të urryer madrilenë. Disfata në “El Clasico” pothuajse është harruar fare, sepse me 7 fitore në 8 sfidat e fundit në Primera Division Barcelona as që ka ndër mend të tolerojë në kampionatin spanjoll.

Prova e radhës do të krijojë një ide shumë më të qartë në lidhje me ecurinë e mëtejshme të Barcës në edicionin e sivjetshëm, duke patur parasysh faktin që sfida e Javës së 30 i përplas kampionët në fuqi me skuadrën e Seviljes. Një test i mirëfilltë për të kuptuar gjendjen e vërtetë të ekipit, për më tepër takimi do të luhet në Andaluzi, ku bardhekuqtë kanë pësuar vetëm dy humbje gjithsej, me Realin e Madridit në fundin e muajit shtator dhe me Villareal-in, në mesin e muajit dhjetor. Sevilja është skuadër e një kalibri krejtësisht të ndryshëm, krahasuar me kundërshtarët me të cilët është ndeshur Barca që nga momenti i rikthimit, pas ndërprerjes së gjatë, për shkak të virusit COVID-19.

Në takimin e fundit madje ndaj Leganes-it skuadra blaugrana u shfaq nervoze në minutat e fundit, deri në atë pikë sa për t’u ndëshkuar në mënyrë krejtësisht të pakuptimtë me plot 5 kartona të verdhë në 10’ e fundit të lojës. Pikërisht për këtë arsye në takimin e radhës do të mungojë francezi Samuel Umtiti, ndërsa në dyshim mbetet qendërmbrojtësi Gerard Pique që mori një goditje të fortë në takimin e fundit. 33-vjecari është grumbulluar për sfidën e radhës, megjithatë në listën e 22 lojtarëve që kanë udhëtuar drejt Andaluzisë mungojnë dy emra të rëndësishëm, si Sergi Roberto e Frenkie de Jong, ndërsa lajmi i mirë vjen nga rikthimi i mbrojtësit të majtë Jordi alba, që u rikthye nga pezullimi.

Në anën tjetër ish-portieri i Barcës Julen Lopetegui, që më datë 5 qershor mbushi vitin në drejtimin e Seviljes nuk ka asnjë problem të tillë dhe i ka në dispozicion të gjithë futbollistët. Pas triumfit në derbi me Betisin Sevilja frenoi në Komunitetin Valencian, teksa u barazua vetëm pak minuta para përfundimit nga skuadra e Levantes. Klubi andlauzian pozicionohet në vendin e tretë, me dy pikë më shumë se sa Atletico e Madridit, sidoqoftë Sevilja ka qenë pothuajse gjatë gjithë kohës në Zonën Champions. Kuota e pikëve mund të ishte akoma më e lartë, nëse merret në konsideratë fakti që në tre barazimet e fundit në kampionat ndaj kundërshtarëve të tillë si Espanyol, Atletico Madrid dhe Levante skuadra e Seviljes ka kaluar përherë e para në epërsi, por në vazhdim ka dështuar për të administruar avantazhin, gjithsesi formacioni i drejtuar nga Julen Lopetegui paraqitet në këtë takim me një ecuri pozitive prej 8 ndeshjesh pa humbje. Sevilja nuk e ka mposhtur Barcën në shtëpi në Primera Division që nga tetori i vitit 2015, kur dy skuadrat drejtoheshin respektivisht nga trajnerët Unai Emery dhe Luis Enrique.

Deri në fundin e muajit korrik do të përqëndrohen vetëm në kampionatin spanjoll, por sidoqoftë vlen të theksohet fakti që në fillimin e muajit gusht Sevilja do të masë forcat me Romën në Europa League, ndërsa Barca do të ketë takimin e kthimit me Napolin në Champions, me sfidën e parë në San Paolo që u mbyll në barazim me shifrat 1-1. Prova e radhës mbetet tepër e vështirë për kampionët në fuqi, por gjithsesi cështja e titullit në këtë vend pritet që të zgjidhet me shumë gjasa deri më datën 5 korrik, sepse në vijim kalendari i Barcelonës deri në përfundim mbetet elementar.

Pas Seviljes skuadra blaugrana do të presë në Camp Nou Athletic Bilbaon, do të udhëtojë në Galici për të sfiduar Celta Vigon, do të përballet në ditën e parë të korrikut me Atletikon e Madridit, sakaq kjo periudhë tepër impenjative do të mbyllet me duelin në El Madrigal me Villarreal-in. Në fazën e parë Barcelona fitoi thellë 4-0, ndërsa në vitin 2019 vlen të kujtohet gjithashtu edhe suksesi tjetër i Barcës brenda në Andaluzi me rezultatin 4-2. Ndeshja do të luhet në orën 22:00 në Stadiumin Ramon Sanchez Pizjuan dhe do të drejtohet nga kryesori Jose Luis Gonzalez.