SPORT

PSG nuk i ndahet tregut italian, Leonardo ofron 80 milionë euro për dy lojtarë të Lazios

PSG nuk i ndahet tregut italian, Leonardo ofron 80 milionë euro për dy
Paris Saint Germain e ka përqendruar merkaton te lojtarët që luajnë në kampionatin italian dhe pasi arriti të blejë përfundimisht sulmuesin argjentinas Mauro Icardi, ka gati disa goditje të tjera të rëndësishme.

Kjo pasi Leonardo është një njohës mjaft i mirë i kampionatit italian dhe i drejtuesve të klubeve atje, çka e ndihmon të jetë më i suksesshëm si në identifikimin e lojtarëve të duhur, ashtu edhe në negociatat për të përfituar çmime sa më të favorshme.

Kështu sipas mediave italiane, vëmendja e Leonardos tashmë është spostuar në kryeqytet, ku ka planifikuar një sërë takimesh me presidentin e Lazios Claudio Lotito dhe Drejtorin Sportiv Igli tare, për të negociuar për dy futbollistë të bardhekaltërve.

Bëhet fjalë për dy ballkanasit Sergej Milinkovic-Savic dhe Adam Marusic, të cilët kanë spikatur te Lazio këtë sezon dhe janë gati të bëjnë hapin e madh të karrierës, ndërsa mediat franceze sigurojnë se Leonardo ka ofruar 80 milionë euro për të dy ata.

Momentalisht Lazio ka zgjedhur rrugën e pritjes, pasi dëshiron të përqendrohet maksimalisht te ndeshjet e kampionatit, ku synon të fitojë titullin kampion pas 20 vitesh, ndërsa gjasat janë që negociatat të mbyllen me sukses, pasi shifra është joshëse për një klub me buxhet modest.

Përveç dy futbollistëve të Lazios, PSG ndjek me mjaft interes edhe emra të tjerë nga kampionati italian, përfshi këtu Sandro Tonalin e Brescias, por edhe Allan e Koulibaly të Napolit, ku veçanërisht me mbrojtësin senegalez negociatat janë në fazë të avancuar.