SPORT

PSG nuk ndal përpjekjet, provon me të gjitha mënyrat për transferimin e Messit

PSG nuk ndal përpjekjet, provon me të gjitha mënyrat për

Tentativat e Paris Saint Germain për të transferuar Lionel Messin, nuk njohin ndërprerje dhe mbi të gjitha as limite. Drejtuesit e klubit kryeqytetas francez vijojnë të këmbëngulin për të sjellë një tjetër “Princ në parkun e Parisit”.

Kontrata e yllit argjentinas me klubin e tij të përjetshëm, Barcelonën, skadon në fund të këtij sezoni dhe deri tani nuk ka pasur asnjë sinjal rinovimi, pavarësisht se presidenti i sapozgjedhur ka premtuar se do të bëjë gjithçka për ta mbajtur në “Camp Nou”.

PSG është skuadra e vetme që mund të kënaqë pretendimet ekonomike të Lionel Messit dhe për ta bindur po provon të fusë në lojë edhe disa prej futbollistëve, që kanë miqësi të ngushtë me 6 herë fituesin e Topit të Artë.

Kështu e përditshmja katalane “Mundo Deportivco” konfirmon se Neymar flet çdo ditë me Messin për ta bindur të transferohet në Paris, ndërsa së fundi edhe Kylian Mbappe ka shprehur gjithë konsideratën për argjentinasin në një postim në rrjetet sociale.

Një tjetër hap për të bindur Messin, është edhe “argjentinizimi” i skuadrës me afrimin e Maurizio Pochettinos në pankinë dhe rinovimin me sulmuesin anësor Angel Di Maria, i cili firmosi pak ditë më parë kontratën e re me PSG-në.

“Kam pasur gjithmonë dëshirë të luaj me Messin. Shpresoj të luaj të paktën një sezon me të dhe më pas mund të tërhiqem qetësisht nga futbolli”, tha Di Maria pas firmës mbi kontratë, ku konfirmoi tentativat e klubit për të nënshkruar me “El Pulce”.

Vetë Messi është në pritje për t’u njohur me ofertën dhe projektin e Laportës te Barcelona, por njëkohësisht po e përgatit veten çdo ditë e më shumë për të firmosur me klubin e PSG-së.