SPORT

Raundi i dytë i ndeshjeve në grupe kulmon me Sociedad-Napoli, në fushë edhe Milan e Roma

Raundi i dytë i ndeshjeve në grupe kulmon me Sociedad-Napoli, në

Vetëm një javë pas startit të ndeshjeve në grupe Europa League luan sfidat e radhës të kësaj faze, në një kompeticion tepër të fortë që është bërë vërtet sa i vështirë po aq edhe i paparashikueshëm, për shkak të ngarkesës së madhe dhe ngjeshjes së jashtëzakonshme që ka pësuar kalendari i të gjitha skuadrave pjesëmarrëse në këtë edicion të 12 të aktivitetit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës.

Disfata e pësuar me Alkmarin brenda në shtëpi përbën padyshim rezultatin më befasues nga takimet e xhiros së parë, kështuqë këtë radhë pritet vërtet me shumë interes pikërisht dueli i Napolit me Sociedadin në Spanjë. Padyshim ndeshja që do të luhet në San Sebastian është ndër më të fortat e ditës së dytë të kësaj faze, për më tepër bëhet fjalë për një përballje klasike ndërmjet klubeve italo–spanjolle. Deri në vitin 2004 Italia kryesonte 9-2 përsa i përket trofeve të fituar në Kupën UEFA, megjithatë futbolli italian ka mbetur në vend numëro në këtë kompeticion, ndërsa Spanja në krahun tjetër ka bërë kërdinë, duke triumfuar në plot 10 nga 17 edicionet e fundit të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Kontinentin e Vjetër në rang klubesh, pra në Kupën UEFA apo edhe formatin aktual Europa League.

Në vitin 1989 falë të madhit Diego Armando Maradona pikërisht Napoli hapi rrugën për skuadrat e tjera dhe Italia asokohe dominoi duke fituar plot 8 herë në vetëm 11 sezone, sidoqoftë janë plot 21 vjet ku klubet nga Italia mungojnë krejtësisht në librin e artë të këtij aktiviteti, madje e vetmja skuadër nga Apeninet që ia ka dalë gjatë kësaj kohe për të shkuar deri në finalen e madhe është Interi, në edicionin e kaluar. Javën e shkuar “të kaltërit” e vlerësuan takimin me AZ dhe dominuan ndeshjen për pjesën më të madhe të kohës. Skuadra e Gatuzos i lejoi ekipit kundërshtar vetëm një gjuajtje në gjithë fraksionin e dytë të lojës, megjithatë goditja e mesfushorit 22-vjecar Dani de Wit rezultoi fatale dhe skuadra e drejtuar nga trajneri Arne Slot u kthye në Holandë me tre pikët në xhep. Në krahun tjetër ekipi bask djersiti shumë në Kroaci për të siguruar fitoren e parë në grup dhe goli që solli 3 pikët në Stadiumin Rujevica të Rijekës u realizua vetëm në 93’ të takimit. Të dy ekipet kanë treguar një formë të mirë në vendet e tyre. Kështu Real Sociedadi kryeson ligën spanjolle me një pikë më shumë se kampionët në fuqi të Realit të Madridit, që kanë zhvilluar një ndeshje më pak dhe pas shtatë javëve të para skuadra baske ka një mesatare të mirë prej dy pikësh për ndeshje në Primera Division.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Imanol Alguacil ka fituar radhazi katër ndeshje në të gjithë kompeticionet dhe për herë të fundit kaq mirë Sociedadi ka qenë 17 vjet më parë, kur nën drejtimin e francezit Raynald Denoueix klubi bask e mbylli ligën spanjolle në vendin e dytë, me një formacion që kishte në përbërje emra të tillë si Xabi Alonso, Darko Kovacevic, Valery Karpin apo dhe Nihat Kahveci. Në fundjavë Socieadi do të udhëtojë drejt Galicisë, për të matur forcat në Stadiumin Balaidos me Celta-n, gjithsesi në Europa League kalendari i ofron bardhebluve dy sfida rresht në Anoeta, pasi javën tjetër në Reale Arena do të paraqitet ekipi holandez i Alkmarit.

Në krahun tjetër Napoli ka fituar 4 nga 5 sfidat e para të kampionatit italian dhe për rrjedhojë skuadra e drejtuar nga trajneri Gennaro Gattuso pozicionohet në vendin e dytë në kuotën e 11 pikëve, sepse sic dihet përvec humbjes në tavolinë për shkak të mosparaqitjes në Torino në takimin me Juventusin klubit nga Campania iu hoq gjithashtu edhe një pikë në tabelën e renditjes. Ditën e dielë Napoli do të presë në San Paolo skuadrën e Sasuolos, që e ka ngjitur në klasifikimin e përgjithshëm, ndërsa javën e ardhshme në Grupin F ekipi i Gatuzos do të udhëtojë drejt Kroacisë për t’u përballur me Rijekën. Sociedadi ka fituar 4 nga 5 sfidat e fundit në shtëpi në Europa League pa pësuar as gol, ndërkohë ekipi i Napolit vuan ndjeshëm në ndeshjet jashtë fushe, sidoqoftë kjo do të jetë përballja e parë ndërmjet dy klubeve në Kupat e Evropës.

Po në mbrëmje në orën 21:00 Roma do të presë në Olimpico CSKA e Sofies, ndërsa Arsenali do të sfidojë klubin irlandez Dundalk, me mendjen te ndeshja e madhe e së dielës, me Manchester United në Old Trafford. Më herët në orën 18:55 ekipi favorit për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm Tottenham Hotspur do të vizitojë Antwerp-in në Belgjikë, ndërsa Milani do të presë në Stadiumin Giuseppe Meazza Spartën e Pragës, ndërkohë interes paraqet gjithashtu në këtë orë edhe takimi i Athinës AEK – Leicester City.