SPORT

Reali e ka nxjerrë jashtë planeve, Milani sfidon Tottenhamin në garën për Gareth Bale

Reali e ka nxjerrë jashtë planeve, Milani sfidon Tottenhamin në

Nuk është vetëm Tottenhami i Jose Mourinhos në garën për të firmosur me Gareth Bale. Sulmuesi uellsian i cili ka përfunduar jashtë planeve të Zinedine Zidane te Reali i Madridit me Los Blancos që po kërkojnë me të gjitha mënyrat ta heqin “qafe” madje janë të gatshëm ta lejojnë të largohet me 0 euro vetëm e vetëm për të mos i paguar pagën e kripur që Bale përfiton te Reali i Madridit. Tottenham kërkon ta rikthejë në Premier League dhe kjo nuk është  më një sekret por sëfundmi në garën për shërbimet e 31-vjeçarit britanik ka hyrë fuqishëm edhe Milani. Kuqezinjtë po ndërtojnë një skuadër të denjë për të siguruar një vend në Champions League sezonin e ardhshëm dhe pse jo të tentojnë të jenë rivalë edhe në garën për titull në Serie A, dhe pas rinovimit me Ibrahimovic apo edhe afrimeve të lojtarëve të talentuar si Sandro Tonali e Brahim Diaz, kërkojnë të afrojnë edhe një kampion si Bale për të tentuar një sezon të suksesshëm.

Uellsiani ka edhe 2 vite kontratë me Realin me një pagë prej 17 milionë eurosh në sezon që nëse përfshihen edhe taksat shkon në 34 milionë euro. Për të mos nxjerrë nga arkat e klubit plot 68 milionë euro në dy vite për një lojtar si Bale që pjesën më të madhe të kohës e kalon në pankinë sesa në fushë, Los Blancos duan ta largojnë me çdo kusht. Duke parë edhe raportet e mira që ekzistojnë mes drejtuesve të Milanit dhe atyre të Realit pas afrimeve të Theo Hernandez dhe Brahim Diaz, mundësitë që Bale të transferohet në San Siro ekzistojnë dhe ëndrra që mban emrin e uellsianit tashmë është më e realizueshme se më parë për kuqezinjtë.