SPORT

Reja: E prisja një ndeshje të vështirë, por ua dhuruam fitoren lituanëve

Reja: E prisja një ndeshje të vështirë, por ua dhuruam

Trajneri Edi Reja u shfaq i qetë në intervistën për Supersport, pas humbjes minimale 0-1 ndaj Lituanisë, ndërsa pranoi se e priste që të ishte një ndeshje e komplikuar, për shkak të gjendjes fizike të futbollistëve kuqezi.

Ju zhgënjen rezultati apo loja e skuadrës sot?
Si rezultati, ashtu edhe loja. Për fat të keq kemi gjetur përballë një kundërshtar në formë mjaft të mirë që na e bëri të vështirë ndeshjen. Më pas bëmë edhe atë gabim që na kushtoi humbjen e ndeshjes, por është momenti të shohim përpara.

Skuadra pati disa goditje standarde, a patët punuar edhe në këtë aspekt për të shkuar te goli?
Nuk është se lojtarët nuk i bënë detyrat dhe patëm edhe disa raste, që nuk mundëm t’i shfrytëzonim dot. Përballë kishim një kundërshtar shumë të mirë në aspektin fizik dhe psikologjik, që na vuri shumë në vështirësi. Më pas erdhi edhe ai gabim, ku pësuam, pasi 0-0 mund të ishte rezultat më i drejtë. U pata thënë lojtarëve të mos bënin gabime, pasi kundërshtarët janë të rrezikshëm në zbritjet në kundërsulm dhe pikërisht në një rast të tillë u ndëshkuam.

Për disa minuta luajtët edhe me 4 në mbrojtje. A mund të jetë një rreshtim i vlefshëm për të ardhmen?
Sa i përket rreshtimit, shumë skuadra në botë po luajnë me tre në mbrojtje, ndaj nuk është një shpikje e jona dhe nuk është problem skeme. Ne vuajtëm gjendjen fizike të kundërshtarit dhe e kisha parashikuar këtë, por mendoj se ndeshjen ua dhuruam me atë gabim, për të cilin më vjen keq. Më vjen keq për lojtarët, të cilët ishin të mërzitur, por edhe për tifozët, megjithatë duhet të shohim përpara.