SPORT

Renditja e re e FIFA-s, Shqipëria mbetet e 66-ta, Kosova humbet një pozicion

Renditja e re e FIFA-s, Shqipëria mbetet e 66-ta, Kosova humbet një

Fitorja ndaj Bjellorusisë dhe humbja në shtëpi me Lituaninë në dy ndeshjet e para të Nations League ka lënë në vendnumëro kombëtaren shqiptare në renditjen e re të FIFA-s të publikuar paraditen e sotme për muajin shtator. Shqipëria vazhdon të jetë në vendin e 66-të me 1351 pikë, 5 më pak se 1 muaj më parë.  Përpara kuqezinjëve qëndron Maqedonia e Veriut që ka fituar 2 pozicione falë paraqitjeve që ka bërë sëfundmi por ka të njëjtën kuotë pikësh me Shqipërinë ashtu si edhe Arabia Saudite ndërsa pas nesh janë El Salvadori, Iraku dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Përsa i përket kundërshtarëve të Shqipërisë në Nations League të gjithë përfaqësueset që kuqezinjtë kanë në grup poziconohen poshtë tyre. Bjellorusia mban vendin e 87-të, Kazakistani vendin e 118-të ndërsa Lituania renditet e 131-ta. Ka humbur një pozicion edhe Kosova që ka zbritur në vendin e 116-të pas dy rezultateve jo shumë pozitive ndaj Moldavisë dhe Greqisë. Ndërkohë kreun në renditjen e FIFA-s vazhdon ta mbajë Belgjika e ndjekur nga Franca, Brazili, Anglia dhe Portugalia. Vendi i 7-të për Spanjën që ka fituar një pozicion, të njëjtën gjë ka bërë edhe Italia që është ngjitur e 12-ta  ndërkohë që Gjermania është ngjitur në vendin e 14-të.