SPORT

Rinisi sot kampionati i futbollit pas 2 muajsh bojkot, Duka: Dritë në fund të tunelit pas premtimit të Ramës

Rinisi sot kampionati i futbollit pas 2 muajsh bojkot, Duka: Dritë në

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka përshëndeti sot rinisjen e sezonit të ri futbollistik në vend, pas dy muajsh bojkot.

Në një mesazh drejtuar sportdashësve, Duka tha se të gjitha ndeshjet dhe stërvitjet e skuadrave do të zhvillohen duke u bazuar në protokollet strikte shëndetësore dhe në rregullat e distancimit social, për të ulur sa më shumë mundësinë e infektimeve.

Pjesë nga mesazhi i Dukës:

Si kurrë më parë do të kemi një edicion në mesin e një pandemie, që ka pllakosur globin dhe ka krijuar vështirësi të mëdha për të gjithë shoqërinë. Ndeshjet do të zhvillohen duke u bazuar në protokollet strikte shëndetësore dhe në rregullat e distancimit social. Sepse shëndeti vjen i pari dhe ne e kemi treguar edhe pas rifillimit të kampionatit se mund ta menaxhojmë fare mirë situatën duke ndjekur rregullat. Starti i këtij edicioni futbollistik është një ngjarje e rëndësishme për komunitetin e futbollit. Përveç pandemisë, ky fillim edicioni u shoqërua edhe me bojkotin e kampionatit nga Liga Profesioniste e Futbollit. Ata i drejtuan qeverisë katër kërkesa të drejta. Kërkesa që kishin në thelb krijimin e një shtrati të duhur ligjor për të formalizuar futbollin dhe për të krijuar një mbështetje më të madhe për ecurinë e futbollit në të ardhmen dhe në përgjithësi për të gjithë sportin. Edhe pse personalisht, kam qenë kundër bojkotit, koha tregoi se lëvizja e klubeve ia arriti qëllimit, duke bërë që zëri i futbollit të dëgjohet, në opinionin publik dhe atje ku duhet. Përkundër paragjykimeve dhe opinioneve të “përbaltuesve të përjetshëm”, futbolli tregoi qytetari dhe ndërgjegje.

Ne kemi marrë një premtim nga Kryeministri për zgjidhjen e problemit. Dhe tashmë shohim dritë në fund të tunelit. Presidentët dhe futbollistët, vlerësuan dhe respektuan sakrificat e futbollistëve për të pranuar një zgjidhje që do të jetë nisja e rrugës drejt ripërtëritjes dhe ecjes përpara.

Jam shpresëplotë se jemi në rrugë të mbarë për të përmirësuar kuadrin ligjor dhe për t’i dhënë një të ardhme më të mirë sportit dhe brezave që do të vijnë.