Roger Federer mes lotësh i jep lamtumirën tenisit: Ishte një udhëtim fantastik

Roger Federer i dha zyrtarisht fund karrierës së tij. Në turneun e Laver Cup, në lojën dyshe përkrah mikut e rivalit të tij Rafael Nadal, tenisti zviceran luajti ndeshjen e fundit, duke mbyllur një karrierë ku triumfoi kudo dhe fitoi gjithçka.
I konsideruar si tenisti më i madh në histori, Roger Federer nuk i përmbajti dot lotët publikut londinez, aty ku ka shkruar historinë me 8 Wimbledon të fituara në karrierë.
“Ishte një udhëtim fantastik. Nuk e kisha menduar kurrë se do të arrija deri këtu. Kjo është mbyllja më e bukur e karrierës së një sportisti, mes miqsh e fansash, që luajnë në një ekip me mua”, u shpreh ndër të tjera Federer, duke bërë edhe Nadal të qajë.
Karriera e mbyll me një humbje në Laver Cup, por kjo s’kishte aspak rëndësi, pasi njerëzit shijuan për herë të fundit një kampion si Roger Federer.
Ndeshja e fundit e Federer u luajt para 20 mijë shikuesve, por miliona e panë atë anembanë botës.
Të shumtë edhe tifozët “vip” në tribuna, që u përlotën e duartrokitën zviceranin. Dhe shokët e skuadrës nuk e lanë vetëm, duke e hedhur në krahë gjatë festimeve.