SPORT

Ronaldo rikthehet te goli, Juve fiton dhe nis shkëputjen në krye të renditjes

Ronaldo rikthehet te goli, Juve fiton dhe nis shkëputjen në krye
Juventus ka lënë menjëherë pas krahëve dështimin në Kupën e Italisë, pasi reagoi në mënyrën e duhur në kampionat, ku ia doli të marrë një fitore 0-2 në transfertën e vështirë ndaj Bolognës.

Në “Dall’Ara” bardhezinjtë e nisën vrullshëm takimin dhe pas disa tentativash, u shpërblyen me një 11-metërsh në minutën e 23-të, të cilin arbitri Gianluca Rocchi e akordoi vetëm pasi rishikoi aksionin në VAR.

Penalltinë e mori përsipër Cristiano Ronaldo, i cili nuk mund të gabonte dy herë radhazi nga 11 metra distancë dhe arriti të dërgonte sferën në rrjetë, duke shënuar edhe golin e 22-të sezonal në kampionatin italian.

Pak minuta mē vonë ishte argjentinasi Paulo Dybala, i cili në rolin e një sulmuesi fals, u shërbye nga Bernardeschi dhe shënoi golin e dytë, duke vulosur suksesin e bardhezinjve.

Pjesa e dytë pati ritëm më të ulët, ku torinezët tentuan të menaxhojnë forcat, ndërsa Bologna nuk ia doli të rihapë takimin. Vërshëllima finale la në fuqi fitoren e Juves që shkon në kuotën e 66 pikëve, 4 më shumë se Lazio e vendit të dytë.