SPORT

Rummenigge: Nuk kemi vendosur ende për të ardhmen e Ivan Perisiç

Rummenigge: Nuk kemi vendosur ende për të ardhmen e Ivan
Pak ditë më parë mediat gjermane raportuan se Bayerni i Mynihut ka vendosur të mos ushtrojë të drejtën e blerjes së sulmuesit anësor kroat Ivan Perisic, por vetë kreu i klubit bavarez, Karl-Heinz Rummenigge përgënjeshtroi këtë lajm.

Në një intervistë për mediat italiane, ai deklaroi se klubi gjerman nuk ka vendosur ende për të ardhmen e kroatit dhe se do ta bëjë diçka të tillë në javët në vijim, pasi të shohë si do reagojë pas dëmtimit që pësoi rreth 3 muaj më parë.

“Nuk kemi vendosur ende për të ushtruar apo jo të drejtën e blerjes së Ivan Perisic. Sulmuesi sapo është kthyer nga dëmtimi dhe po shohim si i ka ecur rikuperimi. Shumë shpejt do të marrim një vendim, por jam i qetë, pasi kemi marrëdhënie mjaft të mira si me Perisic e menaxherët e tij, ashtu edhe me Marottën, ndaj besoj se do gjejmë zgjidhjen më të mirë”, deklaroi drejtuesi i klubit gjerman.

Ivan Perisic u transferua te Bayerni i Mynihut verën e kaluar në një marrëveshje huazimi me të drejtë blerjeje nga Interi, për vlerën e 18 milionë eurove, megjithatë palët mund të bien dakord për një shifër më të ulët se kjo gjatë muajve të verës.