SPORT

Sanchez: Tek United s’ishim si familje, doja të largohesha që pas seancës së parë

Sanchez: Tek United s’ishim si familje, doja të largohesha që
Alexis Sanchez ka pranuar se përvoja e tij te Manchester United ishte dështim. Kiliani ka pohuar madje se dëshironte të largohej nga “Old Trafford” që pas seancës së parë stërvitore. Ish-sulmuesi i Barcelonës u largua nga “Emirates” (Arsenali) për në “Old Trafford” në janar të vitit 2018, por nuk mundi të linte gjurmë gjatë dy sezoneve si “Djall i Kuq”, para se të transferohej tek Interi në formë huazimi.

Duke reflektuar në kohën e tij në Manchester përmes një video të postuar në Instagramin e tij, 31-vjeçari pretendon se ai e kuptoi shumë shpejt se nuk do ta shijonte përvojën tek United.

“Pas seancës së parë stërvitore kuptova shumë gjëra, erdha në shtëpi dhe pyeta familjen time dhe menaxherin nëse nuk mund ta prishja kontratën dhe të kthehesha tek Arsenali. Diçka nuk më përshtatej, por unë tashmë kisha nënshkruar. Kaluan muaj dhe ndjeva të njëjtën gjë. Ne nuk ishim të bashkuar si ekip në atë kohë.

Gazetarët shkruanin pa e ditur situatën dhe kjo më vrau. Ish-lojtarët gjithashtu më kritikuan, por nuk e kishin idenë se çfarë po ndodhte brenda klubit. Edhe ata më lënduan.

Performanca e një lojtari gjithashtu varet nga mjedisi i brendshëm, duhet të jemi një familje. Ne nuk ishim të tillë dhe kjo u pasqyrua në fushë. Dikush duhej të fajësohej dhe ata më fajësuan mua. Dakord, bëj autokritikë, duhet të kisha luajtur më mirë. Por gjithnjë më fajësonin, edhe nëse luaja për disa minuta.”

Sanchez luajti 45 ndeshje për “Djajtë e Kuq”, duke shënuar vetëm pesë herë dhe dhënë nëntë asiste, statistika të zbehta në krahasim me 80 golat që ai shënoi në 166 ndeshje me “Topçinjtë”.