SPORT

Sot radha e Shpresave, gati të fshijnë zhgënjimin e Kombëtares së madhe

Sot radha e Shpresave, gati të fshijnë zhgënjimin e

Zhgënjimin e Kombëtares së madhe mbrëmjen e djeshme ndaj Lituanisë kanë mundësinë ta zbutin ata që pritet të jenë edhe e ardhmja e futbollist shqiptar, Shpresat e drejtuar nga Alban Bushi, që do të presin në orën 19:00 Andorrën në “Elbasan Arena”.

Kuqezinjtë 21-vjeçarë vijnë pas një fitoreje spektakolare 1-5 në transfertën ndaj Austrisë U21, një rezultat ky sa i befasishëm, aq edhe i merituar e shpresëdhënës, ndërsa me një triumf sonte ndaj Andorrës, djemtë e Bushit do të riktheheshin plotësisht në garë për një vend në zonën Play Off të eliminatoreve të Europianit.

Pavarësisht se disa prej futbollistëve ia mori Edi Reja për në skuadrën e parë, trajneri Bushi ka në organikë emra mjaft cilësorë dhe me të ardhme, një pjesë e të cilëve stërviten e luajnë në ekipe me emër në Europë.

Për sfidën e mbrëmjes së sotme trajneri Bushi pritet të bëjë disa ndryshime në formacion, pasi pritet që nga minuta e parë të luajnë emra si Çokaj, i ardhur vetëm dje në grumbullim, Lorenzo Vila, Muçi që shënoi dy herë në Austri dhe ndoshta edhe Dobra.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë U21:G. Selmani; Bajrami, A. Selmani, Pëllumbi, Marku; Çelhaka, Çokaj, Kallaku; Vila, Muçi, Dobra.