SPORT

Takimi vendimtar për Marash Kumbullën, zbulohet oferta e Lazios

Takimi vendimtar për Marash Kumbullën, zbulohet oferta e Lazios
Orë vendimare për të ardhmen e Marash Kumbullës. Në mbrëmje, para darkës, është planifikuar një takim mes drejtuesve më të lartë të Lazios dhe atyre të Veronës. Përveç dy drejtorëve, Tare e D’Amico, do të jenë edhe dy presidentët, Lotito dhe Setti.

Bisedimet do të jenë të fokusura për çmimin e mbrojtësit shqiptar. Lazio e ka patur në vëmendje 20-vjeçarin që në muajin dhjetor, kishte madje edhe një marrëveshje paraprake me Veronën, por gjërat ndryshuan shumë shpejt.

Kumbulla vazhdoi të dhuronte performanca të shkëlqyera dhe çmimi u rrit. Edhe nga interesimi i Interit, që ofroi 25 milionë euro plus bonuse të tjera, shumë që do të paguhej me këste në 2 vjet.

Mirëpo Kumbulla preferoi Lazion. Arsyeja janë shqiptarët te skuadra bardhekaltër, drejtori sportiv, Igli Tare, dhe portieri Thomas Strakosha.

Tani duhet të gjendet marrëveshja midis klubeve. Lotito do të ofrojë 18 milionë “cash”, 2-3 milionë në formë bonusesh dhe dy lojtarë.

Verona pëlqen Lombardin, por në bisedime janë përfshirë edhe emra të tillë si Durmishi (Lotito shtyn që Setti ta pranojë këtë emër), Valon Berisha dhe disa të rinj si Anderson, Maistro, Dziczek dhe Kiyine. Takimi është fiksuar, emri i Marash Kumbullës është në tryezë.