SPORT

Teuta zyrtarizon transferimin e Sherif Kallakut te Lokomotiva e Zagrebit

Teuta zyrtarizon transferimin e Sherif Kallakut te Lokomotiva e Zagrebit
Tashmë është zyrtar largimi i Sherif Kallakut nga Teuta. Mesfushori me tipare sulmuese do të jetë pjesë e Lokomotivës së Zagrebit me të cilët ka firmosur një kontratë 4-vjeçare. Nga shitja e Kallakut klubi durrsak ka përfituar 150 mijë euro, ndërsa ka ruajtur edhe një përqindje të vogël të kartonit në rast se skuadra kroate do ta shesë në të ardhmen. Siç njofton edhe vetë Teuta, Kallaku do t’i bashkohet Lokomotivës ditën e premte, pasi të kalojë me sukses vizitat mjekësore.

NJOFTIMI – “KF Teuta njofton sot arritjen e marrëveshjes së transferimit të Sherif Kallakut në ekipin e Lokomotiva Zagreb në Kroaci. Sherif Kallaku pritet t’i bashkohet ekipit të Lokomotivës ditën e premte. Fantazisti i Teutës, pasi të kryejë vizitat mjekësore, do të bashkohet me klubin e Lokomotiva Zagreb, me të cilin ka nënshkruar një kontrate 4-vjeçare.

22-vjeçari, i cili u shpall fitues i Kupës së Shqipërisë me Teutën, Kallaku i thotë lamtumirë Teutës për të vijuar tashmë aventurën e tij të re në Kroaci. Pas 2 vitesh me blutë, skuadër me të cilën dhuroi performanca shumë pozitive, duke qenë njëkohësisht edhe pjesë e ekipit tonë përfaqësues, Kallaku tashmë do të provojë edhe eksperiencën e tij të parë jashtë vendit, në radhët e Lokomotiva Zagreb”, shkruhet në njoftimin e klubit durrsak.