SPORT

Theo Hernandez i premton besnikëri Milanit: Jam entuziast, nuk largohem këtë verë

Theo Hernandez i premton besnikëri Milanit: Jam entuziast, nuk largohem
Theo Hernandez ka qenë një nga zbulimet më të bukura të Milanit të këtij sezoni, pasi mbrojtësi francez është ambientuar menjëherë në Milano dhe ka treguar gjithë potencialin e tij.

Forcë fizike, rezistencë, aftësi të larta teknike dhe mbi të gjitha nuhatje për golin, kanë qenë disa nga karakteristikat që ka shfaqur mbrojtësi francez, i cili iu bashkua kuqezinjve vetëm verën e kaluar.

Pikërisht për këtë arsye kohët e fundit është folur shumë për një largim të tij drejt Paris Saint Germain, por edhe Realit të Madridit, që ka ruajtur të drejtën e riblerjes, kur e shiti një vit më parë te klubi milanez.

Megjithatë vetë mbrojtësi hodhi poshtë zërat se do të lërë kuqezinjtë këtë verë, ndërsa në një intervistë për mediat spanjolle theksoi se është shumë i lumtur në Milano dhe se do të vijojë të ndihmojë skuadrën edhe për sezonet në vijim.

“Te Milani jam ndjerë shumë mirë që ditën e parë që erdha dhe të gjithë më kanë mbështetur shumë. Kam edhe 4 vite të tjera kontratë dhe nuk do të largohem këtë verë. Të ardhmes nuk i dihet asnjëherë, por edhe sezonin e ardhshëm jam i sigurt që do të luaj me fanellën kuqezi dhe do të provoj të jap më të mirën për të arritur objektivat e klubit”, u shpreh francezi.