SPORT

Tirana fiton pa vuajtje ndaj Vllaznisë, Partizani “ndez” shpresat për Europën

Tirana fiton pa vuajtje ndaj Vllaznisë, Partizani “ndez”
Humbja e Tiranës në Durrës u komentua gjatë, por bardheblutë treguan se gjithçka ishte vetëm një rastësi, pasi u rikthyen te suksesi pasditen e sotme, ku mposhtën Vllazninë me rezultatin e pastër 3-0 në stadiumin “Selman Stërmasi”.

Klasikja e futbollist shqiptar ka dhuruar gjithmonë ndeshje mjaft interesante, por pasditen e sotme baraspesha në fushë zgjati vetëm për 30 minuta, sepse më pas gabimet foshnjarake në mbrojtje të shkodranëve, kthyen ndeshjen në favor të kryeqytetasve.

Tirana e nisi mirë ndeshjen dhe kërkoi të gjejë shpejt golin e avantazhit, por trajneri Dedja kishte përgatitur një formacion të rreshtuar mirë mbrapa, që dilte shpesh në kundërsulm dhe kërkonte të gjente të papërgatitur kundërshtarin.

Me kalimin e minutave shkodranët filluan të dalin shpesh dhe në një sulm të shpejtë nga krahu i majtë i sulmit, Sidorenco krosoi në zonë për Gilman Likën, por topi u ndal në zonë me dorë nga mesfushori i Tiranës Idi Batha.

Megjithatë, ndonëse në një pozicion shumë pranë aksionit, arbitri Enea Jorgji për habi të të gjithëve lejon avantazhin dhe kërcënimi zhvendoset në gjysmëfushën shkodrane, ku Adili ndali me faull brazilianin Elton Cale.

Goli i avantazhit për Tiranën erdhi pak minuta më vonë, kur pas një këndoreje në favor të tyre, lojtarët e Vllaznisë nuk arritën të marrin shpejt pozicionet dhe u kapën të papërgatitur, ndërsa bardheblutë zbritën shpejt dhe shënuan me anë të mesfushorit argjentinas Agustin Torrasa.

Vetëm 6 minuta më vonë ishte mbrojtësi me eksperiencë Renato Malota që u gënjye nga një lëvizje pa top e sulmuesit Michael Ngo’o, ndërsa Adili mbajti në pozicion të rregullt anglezin dhe ky i fundit nuk gaboi, duke dyfishuar avantazhin.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, Tirana mbeti me 10 futbollistë, pasi Erjon Hoxhallari simuloi në zonë dhe u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, ndërsa 45 minutat e para u mbyllën me avantazhin e dyfishtë të bardhebluve.

Në pjesën e dytë trajneri Dedja provoi të theksojë skuadrën, duke hedhur në fushë emra si Junior dhe Shtubina, por shkodranët ishin të paqartë në manovrën sulmuese dhe nuk arritën të krijojnë raste të mira shënimi.

Nga ana tjetër Tirana u tregua racion ale, duke pritur kundërshtarin dhe provuar të ulë ritmin, ndërsa në një zbritje të shpejtë, ishte braziliani Elton Cale që shënoi edhe golin e tretë, duke vulosur suksesin e bardhebluve.

Me këtë fitore, Tirana ngjitet në kuotën e 62 pikëve dhe çon sërish në 9 pikë distancën nga Kukësi ndjekës, me verilindorët që do të luajnë ndeshjen e tyre nesër në një transfertë të vështirë si ajo ndaj Laçit.

Nuk pati surpriza as në Vlorë, ku Partizani mori fitoren e dytë radhazi dhe u rikthye plotësisht në garë për një ven në Kupat e Europës. Ndonëse përballë kishin një Flamurtar të rënë tashmë në Kategorinë e Parë, “të kuqtë’ e kryeqytetit nuk e patën aspak të lehtë të marrin 3 pikët, teksa rezultati final ishte me vetëm një gol diferencë, 1-2.

Mbrojtësi Eneo Bitri shënoi për Partizanin në minutën e 36’ të pjesës së parë, por vlonjatët rikthyen baraspeshën vetëm dy minuta më vonë, me golin e shënuar nga braziliani Souza De Oliveira.

Goli i fitores për Partizanin u shënua nga sulmuesi Jurgen Bardhi në minutën e 67’, ndërsa me këtë sukses “të kuqtë” ngjiten në kuotën e 44 pikëve, vetëm 4 më pak se Skënderbeu që mban aktualisht vendin e tretë të renditjes.