SPORT

Tyson i rinuar, gati për kthimin e madh më 28 nëntor

Tyson i rinuar, gati për kthimin e madh më 28 nëntor

Ish-kampioni i botës, Mike Tyson, po finalizon kthimin e tij, më 28 nëntor, në ring, ku ai do të takohet me Roy Jones Jr në “Dignity Health Sports Arena”, në Los Angeles, në një ndeshje jozyrtare, por të pranuar nga Komisioni Shtetëror i Atletikës në Kaliforni.

Do të jetë dueli i tij i parë i madh në 15 vitet e fundit, pas një karrierë ku ai ishte në majën e boksit. “Iron” Mike e përfundoi karrierën e tij me një humbje ndaj Irlandezit Kevin McBride me një rekord prej 50 fitoreve (44 KO) dhe 6 humbjeve.

Rivali i tij, tre vjet më i ri (51 vjeç), ishte një kampion bote në katër kategori midis viteve 1993 dhe 2004 dhe nuk ka boksuar që nga shkurti i vitit 2018. Rekordi i tij është 66 fitore dhe 9 humbje (47 suksese me KO).

Tyson ka punuar intensivisht për muaj me radhë për t’u përgatitur fizikisht. Ai po stërvitet me ekspertët më të mirë në artet marciale, për të fituar shpejtësinë e lëvizjeve që i duhet pas qëndrimit kaq të gjatë jashtë ringut.

“Unë po luftoj me djem më të rinj dhe më të ashpër dhe ata më sigurojnë se jam duke bërë shumë mirë. Po e pres me padurim duelin”, – tha Tyson në një konferencë për shtyp.

Imazhi i tij ka ndryshuar, ai ka humbur shumë peshë. Tyson vendosi të mos konsumonte mish dhe u bë vegjetarian një dekadë më parë. Sot ai ndjek një dietë të rreptë. Do të jetë një shans për të parë Tysonin e rinuar, i cili në moshën 54 vjeç beson se mund të jetë akoma luftëtari që terrorizoi peshat e rënda të brezit të tij.