SPORT

U dënua nga FSHF për “deklarata denigruese”, Olsi Rama: Na kthyen nenin famëkeq të agjitacion propagandës

U dënua nga FSHF për “deklarata denigruese”, Olsi Rama: Na

Drejtori i përgjithshëm i klubit të Partizanit, Olsi Rama, ka reaguar sot, pas ndëshkimit me 50 mijë lekë gjobë që ka marrë nga Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF, për deklaratat e tij për gjyqtarët pas derbit me Tiranën.

Arsyetimin e dënimit për “përhapje të deklaratave denigruese ndaj zyrtarëve të ndeshjes” ai e krahason me nenin famëkeq të agjitacion propagandës të kohës së diktaturës, ndërsa shprehet se ende nuk disponon arsyetimin e plotë se për çfarë është dënuar.

Rama mohon të ketë ofenduar me deklaratat e tij. “Unë çdo deklaratë e kam bërë absolutisht pa ofenduar ndokënd, brenda të gjitha parimeve të lirisë së fjalës, një e drejtë universale që ma jep kushtetuta dhe nuk ma heq dot kush,” thotë ai në reagimin për “Panorama Sport”.

Reagimi i plotë i Olsi Ramës:

Sot, titrat e televizioneve kombëtare, dhe jo vetëm sportive, më "nxorën gjumin" me lajmin se Komisioni i Disiplinës dhe i Etikës i Federatës Shqiptare të Futbollit më kishte dënuar me 50,000 lekë gjobë për përhapjen e deklaratave denigruese ndaj zyrtarëve të ndeshjes.

Ky ishte "lajmi i ditës", ndërsa mu desh i habitur të hapja gazetat që të shikoja se ishin dënuar dhe Partizani e Tirana për ndeshjen derbi të javës së kaluar, si dhe Skënder Gega, Vllaznia e shumë të tjerë: ekipe, lojtarë e zyrtarë me radhë.

Megjithëse tejet i debatueshëm standardi i dënimit të dy klubeve të kryeqytetit, unë personalisht e quaj ofendues dënimin e urdhëruar ndaj meje, pasi në asnjë moment nuk kam ofenduar, apo denigruar askënd, vetëm kam shprehur opinionin tim personal, në mënyrë folklorike, për të çdramatizuar një situatë të krijuar në disfavor të dukshëm të ngjyrave që unë përfaqësoj.

Unë nuk kam në zotërim, dhe e di që nuk do të kem asnjëherë, arsyetimin se për çfarë jam dënuar, vetëm një rreshtim anonim nenesh e pikash në analet e FSHF, përfshirë këtu dhe nenin 55 që më kujton nenin famëkeq të agjitacion propagandës të kohës së diktaturës, mbase jo thjesht një rastësi kjo.

Ndërkohë që unë çdo deklaratë e kam bërë absolutisht pa ofenduar ndokënd, brenda të gjitha parimeve të lirisë së fjalës, një e drejtë universale që ma jep kushtetuta dhe nuk ma heq dot kush.

Nëse për dikë kjo është një kafshatë që nuk e kapërdin dot, se në fund të fundit është vërtetë një pjatë e shëmtuar e gatuar në kuzhinën e tyre, mbase duhet të kisha këshilluar dhe një gotë verë për t'u liruar fytin.

Gjithsesi, pas një hulumtimi të mëtejshëm arrita të gjej emrat e anëtarëve të KDS që kanë marrë vendimin në fjalë: Ardian Haçi, Saimir Xhuglini dhe Mimoza Odhisea, persona që nuk i njoh as me zë as me figurë. Një kërkim i shpejtë në google më ndriçoj dhe më tej arsyet dhe mosarsyet e dënimit.

Saimir Haçi vazhdon ende të mbaj në profilin e tij në LinkedIn titullin e Sekretarit të Përgjithshëm të Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës, ndërsa është i pezulluar nga Gjykata për ta mbajtur këtë post.

Për hir të së vërtetës, Haçi ka arsye të ketë inate të bartura ndaj meje, sepse kam votuar në zgjedhjet e Shoqatës Rajonale që u njoh nga gjykata dhe ju kundërvu zgjedhjeve të organizuara prej tij. Saimir Xhuglini, një aktivist politik i opozitës, midis të tjerave paska dhe një padi të ngritur kundër tim vëllai në Gjykatën e Tiranës, pra është në konflikt të hapur interesi për të gjykuar një çështje në raport me mua.

Dua të theksoj se sigurisht e quaj të padrejtë dënimin tim, në radhë të parë në bazë të integritetit tim personal dhe edukatës time, po dhe për arsyet e përmendura më lart.

Gjithsesi nëse disiplina dhe etika do të filloj me masat ndaj personit tim për ta bërë futbollin shqiptar më të mirë, më të bukur dhe më të ndershëm bie dakord që të jem unë "viktima" e parë në vendosjen e atyre standardeve të shëndosha që janë të domosdoshëm për zhvillimin e këtij sporti.

Standarde që personalisht kam ngritur zërin vazhdimisht ti shikoj të aplikuara në radhë të parë në fushën e lojës, për sa i përket arbitrimit, por dhe në çdo aspekt të administrimit të futbollit.

Kujtoj KDS dhe FSHF se stadiumet shqiptare janë kthyer në arena të shëmtuara sherresh banale që degjerojnë deri në dhunë fizike, sharje me libër shtëpie dhe ofendime jashtë çdo caku të etikës qytetare të cilat i shikojmë e dëgjojmë rëndom në ekranet e TV dhe ndaj të cilave instancat në fjalë bëjnë veshët shurdh e sytë qorr, sipas oreksit të tavolinës së shtruar, e çorbës së servirur nën avujt dehës të verës lokale.

Dëshiroj ta mbyll duke specifikuar se nuk kam ndërmend ta apeloj këtë vendim, sepse nuk kam besim tek shkallët e tjera të drejtësisë sportive në vend, por uroj që lekët e gjobës, të mijat dhe të gjithë subjekteve të tjerë, të mirëadmistrohen për zhvillim e futbollit në vend.