SPORT

Vdekja tragjike e Dwamenës në fushë shtyn të gjitha ndeshjet

Vdekja tragjike e Dwamenës në fushë shtyn të gjitha ndeshjet

Sulmuesi Raphael Dwamena humbi jetën në ndeshjen mes Egnatias dhe Partizanit. Në stadiumin e Rrogozhinës, në minutën e 24-të kapiteni ra pa ndjenja në fushë dhe u dërgua në spital ku nuk ia doli të mbijetojë.
Federata Shqiptare e Futbollit ka marrë vendimin që të gjitha ndeshjet e Superligës të shtyhen. Sot në 17:00 do duhej të luhej Skënderbeu - Teuta dhe Vllaznia - Laçi. Edhe duelet e ditës së nesërme Tirana - Kukësi dhe Dinamo - Erzeni janë shtyrë.

"Federata Shqiptare e Futbollit shpreh tronditjen e thellë për tragjedinë e ndodhur sot gjatë ndeshjes së javës së 13-të të “Abissnet Superiore”, Egnatia-Partizani. Futbollisti Raphael Dwamena ka humbur ndjenjat gjatë ndeshjes dhe pas ndërhyrjes së parë të mjekëve në fushën e lojës është transportuar me ambulancë për në spital. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve specialistë dhe të gjitha përpjekjeve të mëpasshme për ta rikthyer në jetë, futbollisti për fat të keq ka ndërruar jetë. FSHF i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Dwamena dhe klubit të Egnatias për këtë humbje të madhe dhe ngjarje që ka shokuar të gjithë komunitetin e futbollit shqiptar. Federata e Futbollit bën me dije se të gjitha ndeshjet e programuara për këtë fundjavë në të gjitha kampionatet e futbollit në Shqipëri do të shtyhen në një moment të dytë", njofton FSHF.