Wimbledon thyen për herë të parë kodin e rreptë të veshjes me të bardha për tenistet femra

Wimbledon, i njohur për kodin e rreptë të veshjes komplet me të bardha, ka lejuar për herë të parë tenistet femra të veshin pantallona të shkurtra të errëta, një ndryshim që erdhi pas vitesh ankesash nga lojtaret femra.
Më në fund arriti në shekullin e 21-të, Wimbledon vendosi të ndryshojë rregullat strikte të veshjes duke bërë që tashmë lojtaret të marrin frymë lirisht pa frikën e rrjedhjes së menstruacioneve gjatë lojës.
Ylli amerikan i tenisit, Coco Gauff, tha javën e kaluar se ndryshimi do të largonte shumë stresin në dhomat e zhveshjes.
Wimbledon, turneu më i vjetër dhe më prestigjioz në botë i tenisit, ka pasur prej kohësh kodin më të rreptë të veshjes në lojë dhe e bëri atë edhe më të ashpër në vitin 2014, duke ndaluar edhe veshjet ngjyrë krem, si dhe çdo tjetër që nuk ishte plotësisht e bardhë.
Për vite me radhë, lojtaret femra përjetonin ankth kur luanin me të bardha gjatë ciklit të menstruacioneve, madje shpesh kanë shtyrë edhe me disa ditë periodat përmes pilulave për të shmangur sikletin që mund të kishte njollosja përpara miliona shikuesve në mbarë botën.