Stil jete

10 gabimet që prindërit bëjnë me fëmijët (përfshirë dhe veten time)

10 gabimet që prindërit bëjnë me fëmijët

Kur u bëra nënë më dhanë këshilla pa fund, por vetëm para pak kohësh kuptova se të duash fëmijën do të thotë të duash të mirën e tij në terma afatgjatë.

Kur katër vajzat e mia ishin të vogla e kaloja kohën duke u siguruar atyre nevojat më bazike: ushqimin, larjen, gjumin e ndonjë shëtitje. Tani që janë rritur mendoj më shumë për to në planin afatgjatë.

Them me vete: Çfarë mund të bëj sot për t`i nxitur ato? Ose, si të kalojnë më shumë kohë cilësore me mua?

Ajo që i bën fëmijët e mi të lumtur në moshën 10 ose 15 vjeç është disi e ndryshme nga ajo që do t'i bëjë ata të lumtur kur të jenë 25, 30, 40 vjeç e më tej.

Një ditë u ndesha me një shkrim që thoshte se ka një rritje në numër të 20-vjeçarëve që janë në depresion dhe nuk e dinë arsyen pse. Ata pranojnë se kanë pasur një fëmijëri të magjishme. Prindërit e tyre janë miqtë e tyre më të mirë. Ata kurrë nuk përjetuan tragjedi ose zhgënjime. Megjithatë, për disa arsye, janë të pakënaqur dhe ndihen të depresionuar.

Një nga arsyet e analizuara nga psikologët ishte fakti se prindërit sot nxitojnë të ndërhyjnë shpejt kur fëmijët kanë një vështirësi, për të mos i lënë të përballen me të. Ne në fakt i heqim pengesat për t`ua bërë jetën më të lehtë. Por dramat janë pjesë e jetës dhe vetëm duke u përballur me to, fëmijët tanë mund të ndërtojnë aftësi për të përballuar jetën. Pra, ndërsa duket sikur po u bëjmë një nder, por në fakt ne po u pengojmë rritjen. Ne arrijmë përfitime afatshkurtra në kurriz të mirëqenies afatgjatë.

Filozofia ime e preferuar mbi prindërimin është: 'Përgatiteni fëmijën tuaj për rrugën dhe mos shtroni rrugën për fëmijën tuaj'.

Ndaj dua të ndaj 10 gabimet që ne bëjmë me fëmijët (përfshirë edhe veten time), jo për të drejtuar gishtin mbi fajtorin, por për të rritur ndërgjegjësimin se nuk mund të justifikohemi më përmes fjalisë: Jam prind i mirë.

Gabimi numër 10: Adhurimi i fëmijëve tanë.

Shumë prej nesh e jetojnë jetën me në qendër fëmijën. Fëmijët tanë e duan këtë, sigurisht, sepse jeta jonë sillet rreth tyre. Na emocionon të bëjmë çdo gjë për ta.

Por është e rëndësishme të kihet parasysh se fëmijët tanë janë bërë për t`u dashur, jo për t`u adhuruar. Pra, kur i trajtojmë ata si qendra e universit, ne krijojmë një idhull të rremë. Në vend të shtëpive të përqendruara tek fëmijët, ne duhet të përpiqemi të krijojmë shtëpi me në qendër Zotin.

Gabimi numër 9: Kur besojmë se fëmijët tanë janë perfekt

Një gjë që unë shpesh dëgjoj nga profesionistë që punojnë me fëmijë është se prindërit sot nuk duan të dëgjojnë asgjë negative për fëmijët e tyre. Kur ngrihen shqetësime, madje edhe shqetësime të shprehura nga dashuria, prindërit zemërohen me mesazhierin. E vërteta mund të jetë e hidhur, por nëse e dëgjojmë mendjehapur mund të përfitojmë.

Gabimi numër 8: Të jetojmë me zell përmes fëmijëve tanë.

Ne prindërit krenohemi shumë me fëmijët tanë. Kur ata kanë sukses, na bën edhe më të lumtur seç bën ata vetë. Por nëse jemi tepër të përfshirë dhe investuar në jetën e tyre, bëhet e vështirë të shohim se ku mbaron fëmija e kur fillojmë ne. Nuk mund të projektojmë tek fëmija ato që nuk i kemi arritur vetë dhe i kemi peng të së shkuarës.

Gabimi numër 7: Të duash të jesh shoku më i ngushtë i fëmijës.

Kur i kërkova të prifti gabimin më të madh që prindërit bëjnë me fëmijët, ai më tha: Prindërit le të jenë prindër, të mos kërkojnë më shumë nga sa mund të arrijnë. Si të gjithë, unë dua që fëmijët e mi të më duan. Të duash të jesh shoku i ngushtë i fëmijës, sjell vetëm tolerimin e gabimeve nga frika e mosmiratimit.

Gabimi numër 6: Të qenit prindër konkurrues.

Çdo prind e shikon pakëz si konkurs performancën e fëmijës së tij me bashkëmoshatarët. Por nuk duhet tepruar. Ka shumë miqësi të prishura mes miqsh të vegjël e të mëdhenj vetëm për këtë shkak. Xhelozia verbon. Fëmija duhet të nxitet të krijojë karakter dhe jo domosdoshmërisht fitore. Karakteri mund të mos duket i rëndësishëm në adoleshencë, por në moshën e rritur është gjithçka.

Gabimi numër 5: Kur fëmijëve u privohet fëmijëria.

Sa herë shihja rrëmujëra në shtëpinë time kujtoja sa e lumtur jam që e ndaja shtëpinë me fëmijë të vegjël. Mendoja: Një ditë do të më mungojnë këto pamje. Nuk do të ketë Barbies në vaskën time, kukulla për fëmijë në shtratin tim ose Mary Poppins në DVD player. Dritaret e mia do të jenë të pastra nga gjurmët e ngjitshme të duarve, dhe shtëpia ime do të jetë e qetë, sepse vajzat e mia do të rrinë me miqtë në vend që të qëndrojnë në shtëpi me mua.

Rritja e fëmijëve të vegjël mund të jetë punë e vështirë, monotone. Ndonjëherë është aq rraskapitëse fizikisht dhe emocionalisht, saqë dëshirojmë që ata të ishin më të rritur për ta bërë jetën tonë më të lehtë. Ne jemi gjithashtu kuriozë se si do të rriten. Cili do të jetë pasioni i tyre?

Por ndërsa projektojmë për të ardhmen harrojmë t`i lëmë të shijojnë të tashmen, fëmijërinë që nuk u vjen më.

Gabimi numër 4: Rritja e fëmijës që duam, jo ??e fëmijës që kemi. Si prindër, ne mbajmë ëndrra për fëmijët tanë. Ato fillojnë kur mbetemi shtatzënë, para se të njihet gjinia. Fshehurazi shpresojmë që ata të jenë si ne, vetëm më të zgjuar dhe më të talentuar. Ne duam të jemi mentorët e tyre, duke i përdorur përvojat tona të jetës.

Por ironia e prindërimit është se fëmijët i kthejnë format tona me kokë. Ata dalin të lidhur në mënyra që ne kurrë nuk i kemi parashikuar. Detyra jonë është të kuptojmë që janë prirjet e tyre të natyrshme, të urdhëruara nga Zoti dhe t'i trajnojmë ata në atë drejtim. Detyrimi i ëndrrave tona nuk do të funksionojë. Vetëm kur i shohim për ata që janë, ne mund të ndikojmë fuqimisht në jetën e tyre.

Gabimi numër 3: Të harrosh veprimet tona flasin më shumë se fjalët.

Përpiqeni t`i mbushim me mençuri duke i treguar se ç`duhet të bëjnë dhe harrojmë se ata mësojnë më shumë nga mënyra se si ne sillemi. Nuk mund të sillesh me çdo fëmijë njësoj dhe s`mund të kërkosh të njëjtat gjëra nga secili. Janë të përveçëm!

Gabimi numër 2: Gjykimi i prindërve të tjerë dhe fëmijëve të tyre.

Pavarësisht se nuk pajtohemi me stilin e prindërimit të dikujt, nuk është puna jonë për të gjykuar. Askush në këtë botë nuk është i mirë apo i keq. Të gjithë kanë aftësitë e tyre. Të gjithë jemi një përzierje e të dyjave bashkë.

Gabimi numër 1: Nënvlerësimi i Karakterit.

Karakteri, fibra morale, një busull e brendshme ... këto gjëra hedhin bazat për një të ardhme të lumtur dhe të shëndetshme. Ato kanë më shumë rëndësi se çdo fletë lavdërimi ose trofe që do të marrë ndonjëherë.

Është e vështirë të shikosh fëmijën të rrëzohet, por nganjëherë duhet. Ekzistojnë një milion mënyra për ta dashur një fëmijë, por në përpjekjen tonë për t'i bërë ata të lumtur, le të qëndrojmë të vetëdijshëm se ndonjëherë duhen dhimbje afatshkurtra për të fituar fitime afatgjata.

*Artikulli i Huffington Post u përshtat në shqip nga Tiranapost.al