Stil jete

3 mënyra si prindërit mund t’i mësojnë fëmijët të jenë të zgjuar me paratë nga një këshilltar i familjeve të pasura

3 mënyra si prindërit mund t’i mësojnë
Prindërit nuk duhet të presin derisa fëmijët e tyre të arrijnë në moshë madhore për t’i mësuar si të menaxhojnë paratë. Kjo sipas Ken Eyler, CEO i Aquilance, një kompani shërbimesh financiare dedikuar “familjeve të pasura”.

Gjatë karrierës së tij 31-vjeçare duke këshilluar familjet me pasuri të mirë, Eyler ka parë mbi 100 fëmijë të rriten. Ai këshillon klientët e tij që të fillojnë t’i mësojnë fëmijët me paratë në moshë të re, rreth moshës 5 ose 6 vjeç, në mënyrë që t’i ndihmojnë ata të krijojnë zakone të mira dhe një marrëdhënie pozitive me to.

“Në kohën kur të jenë 11, 12, 13 vjeç dhe të futen në adoleshencë ata duhet të jenë mjaft të aftë për mënyrën se si funksionojnë paratë në shoqëri,” thotë ai për CNBC. “Paraja është një mjet dhe ta kesh atë për çfarëdo qëllimi është vërtet e rëndësishme.”

Nga kursimet te taksat, këtu janë tre njohuri që sipas tij të gjithë prindërit duhet t’ia mësojnë fëmijëvë të tyre kur ata janë të vegjël.

1. Mësojini atyre rëndësinë e kursimeve
Një nga gjërat e para që prindërit duhet t’u mësojnë fëmijëve është rëndësia e kursimit të parave, thotë Eyler. Këshilla e tij vjen nga përvoja: vetë prindërit e Eyler-it kishin rregulla se si ai lejohej të shpenzonte paratë që merrte kur ishte i vogël.

“Nëse do të merrja 100 dollarë, mund të shpenzoja një të tretën e tyre, më duhej të kurseja një të tretën e tyre dhe duhej të gjeja një të tretën e tyre për të bërë diçka produktive,” thotë ai. Opsionet e tij varionin nga dhurimi i parave deri te drejtimi i “një biznesi të vogël”. Rregullat i mësuan se nuk mund të shpenzonte gjithçka që kishte.

“Të kesh para mënjanë është absolutisht thelbësore,” thotë Eyler. “Ka gjithmonë rrethana të jetës ku keni nevojë për një rezervë parash.”

2. Ndihmojini të kuptojnë taksat
Fëmijët gjithashtu duhet të kenë një kuptim të përgjithshëm të taksave, thotë Eyler. Kjo varion nga të kuptuarit pse ato hiqen nga një rrogë deri tek pse i shtohen çmimit përfundimtar të diçkaje që blini në dyqan.

“Realiteti është se çdo person në shoqëri paguan taksa,” thotë ai.

Prindërit duhet gjithashtu të sigurohen që fëmijët e tyre të kuptojnë pse taksat zbriten për gjëra si Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore. Të ndihmosh fëmijët të mësojnë për taksat kur janë të vegjël mund t’i ndihmojë ata të shmangin çdo surprizë të pakëndshme sapo të fillojnë të fitojnë paratë e tyre thotë Eyler.

3. Njiheni me deklaratën e kartës suaj të kreditit
Njohja e fëmijëve me dokumentet e zakonshme financiare në moshë të re mund t’i ndihmojë të kuptojnë konceptet e rëndësishme të parasë.

“Kjo mund të jetë aq e thjeshtë saç është një deklaratë e kartës së kreditit,” thotë Eyler. “Kur jam duke përdorur një kartë krediti, kjo nuk do të thotë se kam akses të pakufizuar në fonde.”

Eyler sugjeron t’i mësoni fëmijës tuaj çdo gjë rreth kartës së kreditit dhe t’i shpjegoni gjëra të tilla si kufiri i kreditit.

“Të kesh një limit kredie prej 10,000 dollarësh nuk do të thotë se kam 10,000 dollarë për të shpenzuar, sepse nuk mund t’i kthej ato para,” thotë ai.

Eyler shton se shfaqja e shpenzimeve të fëmijëve që lidhen me ta, si pagesa për kampin veror ose një lodër që e duan shumë mund t’i “tregojë atyre se si funksionon jeta”.

“Ndihmojini ata të kuptojnë se çdo gjë kërkon punë dhe para,” thotë Eyler. “Ky është arsim i mirë në çfarëdo niveli.”