Stil jete

A duhet të mbahen sekrete në një lidhje?

A duhet të mbahen sekrete në një lidhje?
A është gjithmonë mirë t'i thuash partnerit të vërtetën?

Sinqeriteti është padyshim i rëndësishëm dhe shpërblehet në të gjitha aspektet.

Megjithatë, ka edhe përjashtime. Sekretet në një çift mund të kenë edhe anë të mira. Për shembull, ato mund të ndihmojnë në shmangien e argumenteve të panevojshme e joproduktive dhe humorit të keq.

Prandaj, para se të hapeni shumë me të dashurin tuaj, mendoni me kujdes. Pse?

Nevojitet pak privatësi
Mos harroni se të jeni të sinqertë dhe transparentë me partnerin tuaj nuk do të thotë domosdoshmërisht t'i tregoni atij gjithçka në lidhje me ju. Nëse nuk ia përshkruani partnerit me detaje ditën tuaj, kjo nuk do të thotë se po i fshehni diçka.

Mos harroni se ekziston e drejta e privatësisë: nëse ajo që nuk po i tregoni personit tjetër nuk e ndikon atë, largoni çdo ndjenjë faji.

Nëse nuk doni të flisni për zënkën me shefin tuaj, dhuratën që keni marrë nga miku juaj më i mirë, nuk ka problem këto nuk janë sekrete. Në të vërtetë, pak mister është i mirë për çiftin.

As vetes nuk i themi të gjitha
Të mendosh që një çift duhet t'i tregojë njëri-tjetrit gjithçka është pak naive. Të kesh disa sekrete është jo vetëm normale, por edhe e shëndetshme dhe e pashmangshme. Në fund të fundit, a kemi apo jo sekrete edhe me veten?

Jo të gjitha të pathënat janë shenja negative. Vetëm të vërtetat e fshehura që mund të prekin në një farë mënyre partnerin dhe që, në rastin më të keq, mund të ndikojnë në mënyrën se si çifti ndërvepron. Një tradhti për shembull, mund të analizohet nga këndvështrime të ndryshme.

Gënjeshtrat e bardha lejohen
Sigurisht, sekretet në një çift nuk janë të gjitha të njëjta. Ka gënjeshtra të plota, gjysmë të vërteta dhe gënjeshtra të bardha.

Në parim, nëse lejohen lëshime të vogla dhe shtrembërime të pafajshme të realitetit, duhet të shmangen gënjeshtrat më të mëdha.

Sidoqoftë, varet nga situata në situatë dhe nga gënjeshtra në gënjeshtër.

Nëse sekreti është "i rëndë", por shërben për të mos lënduar tjetrin në mënyrë të panevojshme, për ta mbrojtur atë apo çiftin nga një realitet që rrezikon t'i bëjë ata të hyjnë në krizë, atëherë mbajtja e tij mund të mos jetë një ide e keqe.

Po kështu, nëse një sekret i vogël në dukje i pafajshëm mund të dëmtojë tjetrin ose çiftin, do të ishte mirë ta zbulonim edhe pse në letër duket i vogël dhe i padëmshëm.

Të qenit i sinqertë mund të jetë shumë çlirues
Nëse jeni në krizë dhe nuk e dini nëse sekreti që mbani është “i mirë” apo “i keq” përpiquni ta analizoni çështjen nga një këndvështrim tjetër. A ia vlen vërtet të përpiqesh kaq shumë për të mos e zbuluar? Ndonjëherë, të thuash të vërtetën mund të jetë shumë çliruese dhe jo aq katastrofike sa mund të mendohet.

Provoni këtë ushtrim të thjeshtë: përpiquni të imagjinoni se çfarë e keqe mund të ndodhte nëse do të ishit të sinqertë. Imagjinoni skenarin më të keq të mundshëm. Kështu mund të zbuloni papritur se, në fund të fundit, situata mund të mos jetë aq katastrofike.

Nëse ende nuk jeni të bindur, bëni të njëjtin ushtrim në të kundërt. Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë mirë dhe keq. Këto ushtrime të vogla ju ndihmojnë të merrni vendimin e duhur.

Sekretet në një çift nxjerrin shumë të lënduar
Edhe pse mbajtja e disa sekreteve mund të nxisë mirëqenien e çiftit, mbajtja e shumë sekreteve është padyshim e gabuar. Ndaj kini kujdes.

Ja çfarë rrezikoni nëse e teproni:

- mund të humbni besimin e partnerit tuaj;
- mund të keni vështirësi të mëdha për të komunikuar natyrshëm. Nga frika se - mos e tradhtoni veten, mund të përfundoni duke mos ndier më të lirë për të folur;
- nga frika se mos zbuloheni, mund të tërhiqeni nga partneri juaj;

Si të rrëfeni një të vërtetë?
Kuptuat se disa sekrete në një çift nuk janë të dobishme dhe doni të hapeni? Shumë mirë, por kini kujdes se si e bëni atë. Së pari, sigurohuni që partneri juaj të jetë në humor dhe në gjendje të mirë emocionale për të dëgjuar rrëfimin tuaj. Nëse është i zemëruar, i lodhur ose i zhgënjyer për diçka, shtyjeni sqarimin për më vonë.

Mos u kapni nga impulsi i sinqeritetit në mes të supermarketit apo gjatë një darke me miqtë. Situata dhe vendi gjithashtu kanë rëndësinë e tyre. Më mirë zgjidhni një mjedis të qetë, intim dhe paqësor.

Në këtë pikë, thuaj të vërtetën drejtpërdrejt dhe qartë. Tregohuni të gatshëm për t'iu përgjigjur pyetjeve të tjetrit.